Disa liderë të Ballkanit dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 10:00
Disa liderë të Ballkanit dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës

Liderë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dënuar operacionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e hershme të së enjtes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.

“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndalur çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të triumfojë. Liria dhe demokracia do të fitojnë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të dënuar ashpër agresionin rus.

“Jemi me popullin ukrainas”.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë po ashtu në Twitter se u bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia t’iu japë fund armiqësive dhe të tërheqë forcat nga Ukraina.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se ky “sulm i paprovokuar përbën shkelje të madhe të sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Kjo është përgjegjësi ekskluzive e Rusisë, të cilës i kërkojmë të ndalë menjëherë këtë sulm ushtarak”.

Kryesuesi i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka thënë se do të ofrojë mbështetje për Ukrainën, brenda mundësive.

“Sot në orën 06:00 kam biseduar me të ngarkuarin me punë të Ukrainës, i cili më ka informuar zyrtarisht se sulmi ndaj Ukrainës ka nisur dhe se Ukraina kërkon mbështetjen tonë në të ardhmen”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.

Ky vendim është dënuar nga Perëndimi./rel

(Kosova Sot Online)