Kurti pas krizës në Ukrainë: Mbrëmë në Këshill të Sigurisë diskutuam masat që duhet t’i ndërmarrim

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 11:03
Kurti pas krizës në Ukrainë: Mbrëmë në Këshill të Sigurisë diskutuam masat që duhet t’i ndërmarrim

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se mbrëmë ka mbledhur Këshillin e Sigurisë, për shkak të zhvillimeve të fundit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Ai tha se me ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë kanë diskutuar për situatën aktuale dhe mundësinë që pasojat e kësaj lufte mund ta prekin edhe Kosovën.

“Duke qenë se jemi të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re , shumë e madhe me pasoja tashmë tragjike edhe në rajonin tonë e posaçërisht në Republikën e Kosovës, mbrëmë kemi mbajtur edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku me disa prej ministrave dhe drejtues të institucioneve tona të sigurisë, kemi vlerësuar, analizuar dhe diskutuar për situatën aktuale , për masat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euro-atlantik të jetë në nivelin dhe intensitetin më të mundshëm”, ka thënë ai.

Ndërkohë, fillimin e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, Kurti i ka cilësuar si tronditëse.

“Sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm, meqenëse sot i gjithë kontinentit ynë por edhe me gjëra janë zgjuar me lajmin e trisht të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Qeveria e Kosovës është duke bashkëpunuar me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që të jemi bashkë, për paqe, siguri, mbrojtje të demokracisë dhe lirisë”, tha më tutje Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës. 

(Kosova Sot Online)