Albin Kurti kërkon nga deputetët ta votojnë Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

  • E.K /
  • 24 February 2022 - 11:18
Albin Kurti kërkon nga deputetët ta votojnë Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar sot në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë projektligj.

Kurti tha se ky Projektligj është i domosdoshëm që Kosova të jenë një shtet i drejtë dhe të barabartë.

“Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e koncpet-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore i cili është sjellë në Kuvend për ta marrë miratimin tuaj sot. Ka vite që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe jo vetëm, dhe se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave dhe ikjes nga drejtësia”, ka thënë Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kurti deklaroi se në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria.

“Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë kanë lënë mundësi për rritje të kriminaliteti, Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve. Nëpërmjet këtij projektligji në vendin tonë nuk do të dominoj më parulla ironike “rroga e vogël, fitimi i madh””, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se projektligji është i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve.

“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata. Ky ligj përcakton kthimin e pasurisë te pronari legjitim dhe juridik që është Republika e Kosovës. Qytetarët meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë”, deklaroi më tutje ai.

(Kosova Sot Online)