Mund të godasë deri në 2400 km: Kjo është raketa që Rusia po përdor për të sulmuar Ukrainën

  • G.G /
  • 25 February 2022 - 10:41
Mund të godasë deri në 2400 km: Kjo është raketa që Rusia po përdor për të sulmuar Ukrainën

Rusia sulmoi dje Ukrainën në tentativë për të nisur pushtimin e plotë të saj. Fillimisht shënjestër e sulmit ishin bazat ushtarake, magazinat e municioneve dhe aeroportet e vendit. Si pasojë e sulmeve, mësohet se janë vrarë 137 ukrainas dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë, deklaroi presidenti i vendit Volodymyr Zelensky. Ka raportime se raketa që po përdoret në këto sulme është model “Kalibr”, me rreze të gjatë e zhvilluar nga Rusia, si rivalizues për Tomahawk-in amerikan.

“Kalibr” është e gjatë 9 metra dhe peshon deri në 2,3 ton. Ajo është e mbushur me 500 kg lëndë shpërthyese.”Kalibr” mund të lëshohet nga anijet, nëndetëset dhe mjetet tokësore. E zhvilluar që në vitet 1990 dhe e përdorur për herë të parë në vitin 2015, raketa Kalibr, nuk formon një hark nga momenti i lëshimit, si raketat balistike, por fluturon ulët për të goditur objektivin. Kjo trajektore është projektuar që të shmangen sistemet mbrojtëse armike.

Raketa drejtohet përmes një kamere dhe sistemit GPS si dhe mund të manovrojë në fluturim. Ajo mund të fluturojë me një shpejtësi tre herë më të lartë se ajo e zërit dhe mund ta godasë objektivin deri në 2400 kilometra distancë.

Rusia ka lëshuar më shumë se 160 raketa që kur filloi të godasë Ukrainën, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane. Si pjesë e përgjigjes së saj ndaj agresionit të Rusisë dhe në mbështetje të aleatëve të saj të NATO-s, SHBA do të vendosë 7,000 trupa të tjera në Europë.

(Kosova Sot Online)