Raportohet për të shtëna afër ndërtesave qeveritare në Kiev

  • E.K /
  • 25 February 2022 - 11:06
Raportohet për të shtëna afër ndërtesave qeveritare në Kiev

Agjencia e njohur e lajmeve ,“Associated Press”, ka raportuar se janë dëgjuar të shtëna armësh afër një kompleksi qeveritar në Kiev, pasi kryeqyteti ukrainas më herët në mëngjes u godit edhe nga shpërthimet.

Ushtria ukrainase gjithashtu tha se spiunë dhe sabotues rusë janë parë brenda qytetit, rreth pesë kilometra larg qendrës së tij, shkruan “Deutsche Welle”.

Trupat dhe tanket ruse tashmë kanë arritur në periferi të kryeqytetit ukrainas, pasi më herët janë futur në pjesën veriore të Ukrainës përmes territorit të Bjellorusisë.

Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së pritet që të premten pasdite të mbajnë një takim urgjent për të diskutuar rreth opsioneve të mundshme për t’iu kundërpërgjigjur më tej sulmit rus ndaj Ukrainës.

Diplomatët thanë se ministrat do të bisedojnë për mënyrat se si t’i jepet më shumë përkrahje Ukrainës dhe për të planifikuar strategji për qasjen e BE-së ndaj Rusisë në të ardhmen.

Ky takim vjen pasi udhëheqësit e BE-së u pajtuan të enjten në mbrëmje për një grup të ri sanksionesh kundër Rusisë që cak i kanë ekonominë, financat dhe transportin e këtij shteti.

(Kosova Sot Online)