“Mu kanë lodhë mashqit”, Kurti kujton çfarë i tha Haradinaj kur u prish VLAN-i

  • E.K /
  • 25 February 2022 - 14:10
“Mu kanë lodhë mashqit”, Kurti kujton çfarë i tha Haradinaj kur u prish VLAN-i

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës për qeverisjen e tij.

Ai tha se këto kritika vijnë si pasojë e nostalgjisë për Richard Grenell, i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

“Më lejoni të sqarojë se ku e ka hallin deputeti Haradinaj. Ai thotë gazi amerikan, pastaj pse s’po e ndërpreni dialogun e kështu me radhë. Jam i bindur që edhe kërkesat që të shkohet në mënyrë përfundimtare në Bruksel dhe të kthehemi në mënyrë demonstratave në Prishtinë  që është keqkuptim i madh vijnë nga një lloj nostalgjie për Grenellin. Kjo është thelbi”, deklaroi ai.

Më tutje ai tha se opozita po dëshiron ta shfaq atë si palë jo konstruktive në Bruksel.

“Kurti I e pati Grenell I, e Kurti II s’po ka Grenell II. Krejt këtu e keni hallin, që në Kurtin II s’po prodhohet një Grenell II, e ju po doni që unë të dalë palë jo konstruktive në Bruksel, të gjykohet Kosova ose të etiketohemi sikur anti-amerikan. Të prodhohet Grenell II kundër Kurti II”, ka thënë ai.

Ai ka kujtuar edhe momentin e takimeve me LDK-në dhe AAK-në në 2014 në kohën e marrëveshjes VLAN.

“Le të mos harrojmë që ne njihemi kaherë. Unë e mbajë mend mirë edhe bashkëpunimin tonë. Bashkëpunimi i parë ka qenë në kohën e VLAN-it. Ka qenë vjeshta e vitit 2014,. Në atë bashkëpunim në kuadër të VLAN-it, kolapsoi bashkëpunimi sepse deputeti Haradinaj dhe ish-kryetari i LDK-së po bënin gara se kush po shkonte me PDK-në edhe u prish VLAN-i. E mbajë mend mirë takimin me Haradinajn kur i kam thënë pse po shkon me PDK-në, pse po na e rrënon VLAN-in. Se harrojë kurrë përgjigjen e tij. Përgjigja e tij ishte ‘mu kanë lodhë mashqit’”, ka thënë ai.  

(Kosova Sot Online)