Probleme me internetin në Ukrainë, mund të preket mbrojtja civile

  • E.K /
  • 26 February 2022 - 11:47
Probleme me internetin në Ukrainë, mund të preket mbrojtja civile

Rrjeti i internetit në Ukrainë është prekur keq nga pushtimi rus, sidomos në pjesët jugore dhe lindore të vendit, ku luftimet kanë qenë më të rënda, tha të shtunën vëzhguesi i internetit “NetBlocks”.

Agjencia e lajmeve “Interfax” raportoi se forcat ruse e kanë kapur qytetin jugor ukrainas, Melitopol, derisa Moska nisi sulme të bashkërenduara me raketa dhe artileri ndaj disa qyteteve, përfshirë kryeqytetin Kiev, shkruan Reuters.

Lidhja e internetit në “GigaTrans”, që është ofruesi më i madh i internetit në Ukrainë, ra në nivelin nën 20 për qind nga niveli normal para se të kthehej në nivel normal të premten në mëngjes, tha vëzhguesi “NetBlocks”.

“Tash për tash vëzhgojmë lidhje kombëtare të internetit prej 87 për qind në nivele normale, shifër që i reflekton pengesat në shërbim si dhe fluturimet e popullsisë e mbylljen e shtëpive dhe bizneseve që nga mëngjesi i datës 24”, tha Alp Toker, drejtor i kompanisë “NetBlocks”, për agjencinë “Reuters”.

“Derisa nuk ka ndërprerje të shkallës shtetërore, pak po dëgjohet nga rajonet më të prekura dhe për të tjerët ka frikë të vazhdueshme se lidhja mund të përkeqësohet në çdo moment, duke i ndërprerë kontaktet me miqtë dhe familjen”, shtoi ai.

Toker-i gjithashtu tha se pengesat ndaj rrjetit të komunikimit në Ukrainë mund t’i prekin grupet e mbrojtjes civile, të cilat kanë qenë duke zhvilluar mobilizim për t’i mbrojtur qytetet e tyre.

(Kosova Sot Online)