E trishtë! Qindra ukrainas të vrarë, mes tyre tre fëmijë

  • G.G /
  • 26 February 2022 - 13:53
E trishtë! Qindra ukrainas të vrarë, mes tyre tre fëmijë

Ditën e sotme, Ministri i Shëndetësisë Viktor Lyashko, ka bërë me dije se 198 ukrainas, mes të cilëve tre janë fëmijë, kanë vdekur si pasojë e përplasjeve me forcat ruse në Ukrainë.

Ndër të tjera ai bëri me dije se janë plagosur 1115 persona, mes të cilëve janë 33 fëmijë.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona, përfshi dy fëmijë, mbetën të plagosur nga përleshjet e armatosura gjatë natës në rrugët e Kievit.

Sipas tij, nuk ka prani të madhe ushtarake në kryeqytetin ukrainas, por grupe diversante ruse janë aktive në zonë.

Qeveria e SHBA i ofroi Presidentit ukrainas mundësinë për ta evakuar dhe larguar nga Kievi, por ai nuk pranoi. Lajmi është bërë i ditur nga Associated Press, që përmes burimeve ka mësuar se Zelensky kërkoi armë dhe municione, e jo të largohet nga vendi.

“Lufta është këtu. Kam nevojë për municione, jo për të udhëtuar”, tha Zelensky.

Presidenti 44-vjeçar zgjodhi të qëndrojë në Kiev, aty ku zhvillohet beteja me forcat ruse të cilat kërkojnë të marrin kontrollin e kryeqytetit. Ndërsa familja e tij është evakuuar në një vend të sigurt.

“Kurse unë po qëndroj në zyrat e qeverisë së bashku me të tjerët. Armiku më ka caktuar mua si objektivin kryesor dhe familjen time si objektivin numër 2”, ka thënë më herët Presidenti Zelenski.

(Kosova Sot Online)