Këshilltar politik, prokuror, anëtar i KPK-së, Kryeprokuror në Speciale – Kush është Blerim Isufaj që po synon Kryeprokurin e Shtetit?

  • E.K /
  • 28 February 2022 - 08:57
Këshilltar politik, prokuror, anëtar i KPK-së, Kryeprokuror në Speciale – Kush është Blerim Isufaj që po synon Kryeprokurin e Shtetit?

Në vitin 2008, Prokurori Blerim Isufaj, ishte caktuar këshilltar politik i Ministres Nekibe Kelmendi që vinte nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në muajin qershor 2010. Pas një muaji nga kjo pozitë, Isufaj ishte emëruar prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, e cila aso kohe udhëhiqej nga Aleksander Lumezi.

Në gusht 2013, prokurori Isufaj, ngritët në detyrë në Prokurorinë Speciale. Gjatë vitit 2015, në kohën kur Këshilli Prokurorial udhëhiqej nga Aleksander Lumezi, Blerim Isufaj merr bekimin e prokurorëve në Prokurori Speciale dhe caktohet si anëtar i Këshillit Prokurorial nga radhët e kësaj Prokurorie. Në fillim të vitit 2016, emërohet Kryesues i Këshillit Prokurorial, duke trashëguar pozitën e Aleksander Lumezit, i cili me ligjin e ri, ishte anëtar i Këshilli Prokurorial.

Në garën për Kryesues, Blerim Isufaj kishte kundërkandidat Bahri Hysenin, i cili ishte zgjedhur si anëtar i Këshillit Prokurorial nga prokurorët e Ferizajit. Në kohën kur kishte kandiduar për këtë pozitë ishte ende prokuror me mandat fillestar. Isufaj deri në janar të vitit 2019 për tri vite ka drejtuar Këshillin Prokurorial. Pas skadimit të mandatit të Kryesuesit, ai ka pasur mandat edhe dy vite si anëtar i Këshillit, por pasa dy muajve, në mars të vitit 2019, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit. Arsye ishte pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në janar të vitit 2020, anëtarët e Këshillit Prokurorial, të cilët dikur i kishte vartës, kanë zgjedhur Isufajn për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, me 10 vota për dhe asnjë kundër.

Në të njëjtën kohë, ishte zhvilluar edhe procesi i emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku ishte zgjedhur Kujtim Munishi. Për këto procese, të cilat ishin monitoruar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, ata janë shprehur të zhgënjyer.

“Ambasada Amerikane nuk e mbështet dështimin e Këshillit Prokurorial për të zbatuar Rregulloren për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ne iu dëshirojmë Kryeprokurorëve sukses dhe mungesa e mbështetjes sonë për procesin e përzgjedhjes nuk reflekton opinionin tonë individual për personat e zgjedhur. Publiku duhet të ketë besim në KPK në zbatimin e rregullave të saj dhe rregulloreve dhe ngritjen në detyrë të prokurorëve në bazë të meritës përmes një procesi që promovon transparencën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë dhënë për “Betimi për Drejtësi”.

Blerim Isufaj, deri më tash asnjë mandat nuk e ka përfunduar deri në fund. Së fundi, ia ka mësyrë edhe garës për Kryeprokuror të Shtetit, për ta zëvendësuar edhe njëherë shefin e tij, Aleksander Lumezi, duke lënë kështu në gjysmë mandatin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Për më shumë ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, mbi Riciklimi në sistemin prokurorial./BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)