E PËRDITËSUAR| Rusia bëhet edhe më agresive, Zelensky pritet si hero nga Evropa – kërkon ndihmë

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 11:15
E PËRDITËSUAR| Rusia bëhet edhe më agresive, Zelensky pritet si hero nga Evropa – kërkon ndihmë

Po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Nata e fundit ishte e përgjakshme për Ukrainën. Iu vranë së paku 70 ushtarë në një vend. Më poshtë gjeni të gjitha ngjarjet e ditës së sotme lidhur me Ukrainën.

[13:21] Zelensky para Evropës: Nuk mund t’ju them mirëdita, kjo mund të jetë dita e fundit për disa

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar pa përshëndetje eurodeputetëve, të cilët e kanë pritur me duartrokitje. Kjo e sotmja nuk është ditë e mirë, tha ai.

Zelensky po u adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian, përmes një lidhjeje direkte nga Ukraina, ku po qëndron gjatë gjithë kohës, prej se vendi i tij është sulmuar nga forcat ruse.

Presidenti ukrainas fjalimin e tij e nis pa përshëndetje.

“S’mund të them mirëmëngjesi, ose mirëdita, ose mirëmbrëma. Sepse kjo nuk është ditë e mirë. Për disa njerëz, është dita e fundit”, ka thënë Zelensky.

[13:17] Fjalët e para prekëse të Zelenskyt para eurodeputetëve: Dëshmojeni se nuk do të na lini të vdesim

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy po merr pjesë virtualisht në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian, ku është pritur me ovacion të jashtëzakonshëm.

Në fjalën e tij para eurodeputetëve që e duartrokitën aq gjatë, Zelensky tha se BE-ja duhet të dëshmojë se është me Ukrainën, raporton The Guardianm.

Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, Zelenskiy tha:

“Pa ty, Ukraina do të jetë e vetmuar… Ne kemi dëshmuar forcat tona. Ne jemi saktësisht të njëjtë me ju… Pra, dëshmojeni se jeni me ne. Dëshmoni se nuk do të na lini të vdesim. Dëshmoni se jeni vërtet europianë dhe se jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën.”

Presidenti ukrainas shtoi se “askush nuk do të na thyejë”. Zelensky tha para Pralamentit Europian se vendi i tij “po i jep njerëzit më të mirë” për t’u trajtuar si të barabartë dhe për çmimin e lirisë.”

[13:16] Të paktën 10 persona u vranë nga sulmi i trupave ruse në qendër të Kharkiv

Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, si pasojë e granatimeve 10 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 20 u plagosën, raporton Ukrinform.

Në deklaratë thuhet se ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët shpëtuan rreth 10 persona nga rrënojat, teksa shkallet dhe korridoret në të gjitha katet janë shkatërruar plotësisht.

Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[12:53] Gjashtë ditë të agresionit rus në Ukrainë, OKB del me numrin e viktimave civile deri tani

Të paktën 136 civilë janë vrarë, përfshirë 13 fëmijë dhe 400 janë plagosur që kur Rusia ka nisur agresionin e saj ndaj Ukrainës javën e kaluar sipas Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.

Zëdhënësja e kësaj zyre Liz Throssel tha se 253 nga viktimat janë në Donets dhe në Lugans rajone në lindje të Ukrainës, shkruan The Guardian.

[12:48] OKB: Më shumë se 660 mijë refugjatë ikën nga Ukraina

Më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

“Ne kemi tani 660,000 refugjatë që kanë ikur në shtetet fqinje të Ukrainës në gjashtë ditët e fundit”, ka thënë zëdhënësja, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë.

[12:41] Shefi i NATO’s nga Polonia çon mesazh për Rusinë dhe Ukrainën

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i jap fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për ta mbështetur Kievin, pasi pohon se alenaca që udhëheq nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit.

Këtë deklaratë kreu i NATO-s e ka dhënë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda.

Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[12:34] Njëri nga pilotët më të mirë, rusët vrasin “Ujkun Gri” të Ukrainës

Koloneli ukrainas Oleksandr Oksanchenko, i konsideruar si piloti më i mirë i Ukrainës, është vrarë nga rusët në një betejë në ajër gjatë natës së të premtës së javës së shkuar.

Presidenti Volodymyr Zelensky i dha atij pas vdekjes titullin Hero i Ukrainës, njoftoi komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook.

Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[12:30] Mbi 20 të plagosur në sulmin në Kharkiv dhe disa të mbetur nën rrënoja

Më shumë se 20 persona janë plagosur në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook të martën, raporton CNN.

Gjithashtu, raportohet se ka persona të cilët kanë mbetur nën rrënoja, përcjell Gazeta Express.

“Si pasojë e granatimeve me artileri, një ndërtesë e administratës shtetërore dhe godina ngjitur u dëmtuan. Njerëzit janë bllokuar nën rrënoja. Shefi i operacioneve të shpëtimit mësoi se mbi 20 persona janë plagosur”, tha një pjesëtar i shërbimit në video.

[12:14] Zelensky emëron një gjeneral ushtarak për ta udhëhequr Kievin gjatë luftës

Kryeqyteti ukrainas Kiev, që po synohet të merret nga forcat ruse tani do ta ketë për kryetar një ushtarak, njoftoi parlamenti i Ukrainës.

Presidenti Zelenskyi ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov si kryetar të administratës ushtarake të Kievit,.

“Gjatë luftës, Volodymyr Zelensky ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov kryetar të administratës ushtarake të Kievit. Kryetari i Kievit Vitaly Klitschko do të punojë me kryetarin ushtarak”, thuhet në njoftim.

[12:07] Fëmijët jetimë të strehuar në një bodrum nga frika e bombardimeve

“Një foto që duhet ta shohë e gjithë bota!”. Kështu e përshkruan Parlamenti i Ukrainës një fotografi të fëmijëve jetimë të strehuar në një bodrum.

Teksa shumë fëmijë me familjet e tyre janë larguar nga Ukraina, janë disa fëmijë jetimë që mbeten nën mëshirën e përkujdesësve të tyre, përveçse nën mëshirën e fatit për të mos u vrarë nga forcat ruse.

Për të shikuar fotografinë, kliko KËTU.

[11:55] Rusët kryen krim lufte duke përdorur bombën me vakum, reagon zëdhënësi i Putin

Sanksionet e Perëndimit nuk do ta bëjnë kurrë Rusinë ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, kanë thënë sot nga Rusia, raporton The Guardian.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ndërsa negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit kanë nisur, nuk ka plane për bisedime midis presidentëve të të dy vendeve.

Peskov hodhi poshtë akuzat për sulme nga Rusia ndaj objektivave civile dhe përdorimin e bombave me vakum si të pavërteta, raporton Reuters.

Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[11:38] Raketa ruse në qendër të Kharkivit, Zelensky: Rusia është shtet terrorist

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se raketa ruse që ka rënë në mes të sheshit të qytetit Kharkiv tregon se Rusia është një shtet terrorist.

Ai thotë se një akt të tillë s’do ta harrojnë dhe nuk do ta falin.

“Raketa në sheshin qendror të Kharkiv është një terror i hapur. Pas një akti të tillë, Rusia është një shtet terrorist. Askush nuk do ta falë, askush nuk do ta harrojë”, ka shkruar Zelensky në profilin e tij zyrtar.

Për më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[11:36] Ushtria ukrainase i rrëzon edhe dy helikopterë rusë

Ushtria ukrainase ka hyrë në ditën e gjashtë të luftimeve për mbrojtjen e vendit teksa Rusia duket se e ka intensifikuar pushtimin.

Megjithatë, autoritetet ukrainase vazhdojnë të flasin për fitore. Në një video të publikuar nga “Nexta”, shihen dy aeroplanë rusë teksa rrëzohen, ndërsa aksioni komentohet me entuziazëm: “Yes, yesss!”.

[11:26] Krim lufte, Rusia përdori bombën e ndaluar, me të vrau 70 ushtarë ukrainas

Rusia ka përdorur bombën me vakum gjatë agresionit të saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar ambasadorja e Ukrainës në ShBA, Oksana Markarova gjatë një prononcimi për gazetarë pas takimit që ka pasur me kongresmenë amerikanë.

Bomba me vakum apo siç njihet, arma termobarike, funksionon duke e përdorur oksigjenin për të krijuar eksplodim të fuqishëm me temperaturë të lartë. Nëse kjo armë përdoret në civilë të pafajshëm konsiderohet si krim lufte, shkruan Politico.

“Ata kanë përdorur sot bombën me vakum”, ka deklaruar Markarova.

Bomba me vakum e përdorur nga ushtria ruse ka shkatërruar një bazë ushtarake ukrainase në verilindje të vendit në qytetin Okhtyrka, duke vrarë 70 ushtarë ukrainas.

[10:55] Ambasada e Ukrainës del me detaje për vullnetarët shqiptarë që duan t’i bashkohen luftës

Ambasada e Ukrainës në Tiranë u ka bërë thirrje vullnetarëve shqiptarë që dëshirojnë të bashkohen në luftën kundër Rusisë të kontaktojnë ambasadën përmes emailit

Tashmë është formuar Legjini Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ku vullnetarë nga e gjitha bota po i bashkohen forcave të armatosura të Ukrainës në luftë kundër agresionit rus.

“Vullnetarët që dëshirojnë të bashkohen me Legjionin Ndërkombëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, ju lutem dergoni një në e-mail në adresën e mëposhtme: [email protected]”, thuhet në postim.

[10:19] Pushtimi nuk po i shkon siç e mendonte Putin, krejt çka humbi Rusia për 6 ditë në Ukrainë

Gazeta ukrainase The Kyiv Independent ka publikuar humbjet që ushtria ukrainase ia ka shkaktuar Rusisë për 6 ditë luftë.

Kjo gazetë duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se Rusia ka humbur deri tani 5710 ushtarë, 198 tanke dhe 29 aeroplanë luftarakë.

[10:18] Lukashenko: Bjellorusia nuk do t’i bashkohet pushtimit rus

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë për mediat shtetërore se forcat e tij nuk do të bashkohen me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, tha se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë në aksione ushtarake kundër Ukrainës dhe kurrë nuk ka marrë pjesë”, raporton BBC.

“Ne mund t’ia dëshmojmë këtë kujtdo. Për më tepër, udhëheqja ruse nuk e ngriti kurrë këtë çështje me ne – përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Dhe ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen”, u shpreh Lukashenko.

[10:03] Vriten 70 ushtarë të Ukrainës

Nata e kaluar ka qenë e përgjakshme në Ukrainë teksa Rusia vazhdon pushtimin të paktën 70 ushtarë ukrainas u vranë në Okhtyrka në veri-lindje.

Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë u vranë në një sulm artilerie ruse në bazën e tyre ushtarake të dielën, raporton BBC.

Sulmi ndodhi në Okhtyrka, në rajonin Sumy, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse.

[09:51] Sulmi me raketa në Kharkiv, 6 të plagosur mes tyre një fëmijë

Të paktën gjashtë persona janë plagosur, duke përfshirë një fëmijë, në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, shkruan CNN.

Shpërthimi shkatërroi një ndërtesë qeveritare, sipas videove të postuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës (MOFA) dhe zyrtarë të qeverisë ukrainase.

Për t’i shikuar dëmet nga sulmi me raketa në Kharkiv, kliko KËTU.

[08:46] Sulmet ruse godasin qendrën e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës

Qendra e Harkivit është goditur nga raketat ruse. Në mëngjesin e së martës është thënë të jenë shënjestruar zyrat qeveritare në Sheshin Liria në qendër të qytetit.

Në disa pamje në rrjetet sociale shihet sesi raketat godasin ndërtesën e administratës rajonale.

Për t’i shikuar pamjet nga sulmi me raketa në një ndërtesë qeveritare në Kharkiv, kliko KËTU.

[08:22] Krejt çka ndodhi gjatë natës në Ukrainë

Përmbledhje e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë natës në Ukrainë.

Nata e kaluar ka qenë e përgjakshme në Ukrainë teksa Rusia vazhdon pushtimin.

Për të lexuar më shumë rreth këtij lajmi, kliko KËTU.

[08:17] Agjencia ukrainase e lajmeve: Një konvoj rus i gjatë 64 kilometra është nisur drejt Kievit

Një kolonë me automjete ushtarake ruse e drejtuar për në Kiev vlerësohet të jetë 64 kilometra e gjatë, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN të martën herët duke cituar imazhe satelitore.

Karvani i tankeve dhe automjeteve të tjera ushtarake është edhe më i gjatë se sa mendohej më parë.

Ai shtrihet nga Aeroporti Hostomel në Kievin veriperëndimor deri në fshatin Prybirsk, i cili ndodhet midis Kievit dhe Çernobilit.

Për t’i shikuar pamjet nga lart të konvojit rus, kliko KËTU.

[08:06] Rreth 350 mijë refugjatë kanë hyrë në Poloni nga Ukraina

“Rreth 350,000 mijë persona kanë hyrë në Poloni nga Ukraina prej kur Rusia ka pushtuar këtë shtet”, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Maciej Wasik.

[07:46] Forcat ruse rrethojnë Kherson, qytet në jug të Ukrainës

Forcat ruse këtë të martë kanë rrethuar qendrën rajonale të Khersonit në Ukrainën jugore.

BBC raporton se trupat ruse kishin nisur një sulm tokësor në qytetin, që ndodhet pranë Krimesë të kontrolluar nga Moska.

“Ushtria ruse po vendos postblloqe në hyrjet e Khersonit, por qyteti ka qenë dhe do të mbetet ukrainas”, ka thënë kryebashkiaku Igor Kolykhayev.

[07:36] Sirenat e alarmit zgjojnë ukrainasit në ditën e 6 të luftimeve

Për të gjashtën ditë me radhë sirenat e alarmit kanë nisur mëngjesin e kësaj të marte për ukrainasit.

Mediat e huaja bëjnë me dije se sirenat e alarmit janë ndjerë në të gjithë vendin.

Përveç Kievit, alarmet kanë rënë në qytetet perëndimore të Ternopil, Vinnytsia, Rivne, si dhe qytetet qendrore të Cherkasy dhe Kropyvnytskyi, sipas shërbimit ukrainas të BBC-së.

(Kosova Sot Online)