Vrasja e nxënësit derisa po shkonte në shkollë, krejt çka dihet për rastin në Vranjevc

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 11:22
Vrasja e nxënësit derisa po shkonte në shkollë, krejt çka dihet për rastin në Vranjevc

R.H., 14-vjeç, u ther për vdekje në Vranjevc të Prishtinës në një distancë jo të madhe nga shkolla “Hilmi Rakovica”, aty ku vijonte mësimet në klasën e 9-të. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë. Zyrtarisht nuk është konfirmuar arrestimi i ndonjë të dyshuari, por ekipi i T7 raporton se një i mitur është shoqëruar për në stacionin policor. Express sjellë detaje për rastin tragjik.

Në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vranjevc kishin zbarkuar një numër i madh i zyrtarëve policorë, aty ku mjekët konstatuan vdekjen e viktimës. Më pas në vendngjarje arriti edhe vetura e Mjekësisë Ligjore. Ndërsa një pjesë e komunikacionit aty qëndronte e bllokuar dhe shiheshin lëvizje të shtuara të qytetarëve për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.

QMF në lagjen Vranjevc në Prishtinë

Image

Policia qëndronte në vendin e ngjarjes

Image

Një veturë e policisë u nis për në shkollën “Hilmi Rakovica” dhe pak minuta më vonë mbërriti edhe një ekip i Ministrisë së Arsimit. Policia nuk njoftoi për ndonjë të arrestuar, por ekipi i T7 raporton për shoqërimin e një të mituri në stacionin policor.

Mësimi në shkollë po vazhdon dhe sipas nxënësve aty, i mituri që u ther për vdekje ishte nxënës i urtë.

Shkolla fillore “Hilmi Rakovica”

Image

Motivet e kësaj vrasjeje është herët të dihen, por policia tha se po punon intensivisht në zbardhjen e rastit.

” Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë)  dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF),  ku dhe është konstatuar vdekja e tij. Vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë. 

(Kosova Sot Online)