Dy miliarderë rusë të afërt me Putinin qahen pasi sanksionet e BE-së i goditën edhe ata

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 11:30
Dy miliarderë rusë të afërt me Putinin qahen pasi sanksionet e BE-së i goditën edhe ata

Miliarderët rusë Mikhail Fridman dhe Pyotr Aven thanë se do ta kundërshtojnë “bazën e rreme dhe të pabazuar” të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, që i përfshin edhe ata.

BE-ja sanksionoi të hënën Fridman dhe Aven, së bashku me dhjetëra rusë të tjerë të njohur, raportoi Reuters.

BE-ja tha se “Aven është një nga oligarkët më të afërt të Vladimir Putinit” dhe se Fridman “ishte përmendur si një financier i lartë rus dhe si mundësues i rrethit të brendshëm të Putinit”.

“Mikhail Fridman dhe Petr Aven… janë thellësisht të tronditur nga pretendimet e rreme të bëra në rregulloren e BE-së që pretendohet ta justifikojnë bazën mbi të cilën ata janë sanksionuar”, thanë biznesmenët në një deklaratë duke shtuar:

“Z. Fridman dhe Z. Aven do ta kundërshtojnë bazën e rreme dhe të pabazë për vendosjen e këtyre sanksioneve – fuqishëm dhe me të gjitha mjetet në dispozicion të tyre për ta rikthyer dëmin e pajustifikuar dhe të panevojshëm në jetesën dhe prosperitetin e punonjësve të tyre të shumtë, klientëve, partnerëve dhe palëve të interesuara dhe bizneset që ata dhe partnerët e tyre kanë ndërtuar gjatë 25 viteve të fundit.”

Aven tha se është gabim nga BE-ja të thotë se ai është “mik veçanërisht i ngushtë personal” i drejtorit të Rosneft, Igor Sechin. Fridman tha se është e pavërtetë se ai ka “krijuar lidhje të forta” me administratën e Vladimir Putinit.

(Kosova Sot Online)