Krim lufte, Rusia përdori bombën e ndaluar, me të vrau 70 ushtarë ukrainas

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 11:39
Krim lufte, Rusia përdori bombën e ndaluar, me të vrau 70 ushtarë ukrainas

Rusia ka përdorur bombën me vakum gjatë agresionit të saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar ambasadorja e Ukrainës në ShBA, Oksana Markarova gjatë një prononcimi për gazetarë pas takimit që ka pasur me kongresmenë amerikanë.

Bomba me vakum apo siç njihet, arma termobarike, funksionon duke e përdorur oksigjenin për të krijuar eksplodim të fuqishëm me temperaturë të lartë. Nëse kjo armë përdoret në civilë të pafajshëm konsiderohet si krim lufte, shkruan Politico.

“Ata kanë përdorur sot bombën me vakum”, ka deklaruar Markarova.

Bomba me vakum e përdorur nga ushtria ruse ka shkatërruar një bazë ushtarake ukrainase në verilindje të vendit në qytetin Okhtyrka, duke vrarë 70 ushtarë ukrainas.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë për një pjesë të madhe të ndërtesës të shkatërruar nga shpërthimi.

Sipas mediave ukrainase, shpërthimi i madh në bazën ushtarake ka ndodhur rreth orës 17:00 të së hënës.

(Kosova Sot Online)