Osmani në takimin me Çavusoglun: Paqja në rajon është e mundshme me Kosovën në NATO

  • E.K /
  • 01 March 2022 - 14:30
Osmani në takimin me Çavusoglun: Paqja në rajon është e mundshme me Kosovën në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit në Ankara kanë takuar me ministrin e jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Siç njofton Zyra e Presidencës, në takim është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Osmani ka thënë se raportet me Turqinë kanë potencial të zgjerohen e thellohen edhe më tej, në veçanti duke nxitur më shumë investime në Republikën e Kosovës si dhe duke rritur eksportet e Kosovës në Turqi.

Ajo ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si proces nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie.

Në këtë kontekst, Osmani ka theksuar se bashkë me aleatët, nuk do të lejojnë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Paqja dhe e ardhmja e sigurt e rajonit është e mundshme me anëtarësimin e Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO”.

(Kosova Sot Online)