Vazhdon shtyrja e seancave për shkak të grevës

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 10:28
Vazhdon shtyrja e seancave për shkak të grevës

Edhe në ditën e dytë të grevës së administratës së Pallatit të Drejtësisë, po vazhdojnë të shtyhen seancat.

Gjatë ditës së djeshme, përveç rasteve të paraburgimit dhe atyre të dhunës në familje, shumë seanca janë shtyrë, duke përfshirë këtu edhe rastet e korrupsionit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Të mërkurën, palët po paraqiten për seanca, mirëpo të njëjtat për shkak të mungesës së zyrtarëve ligjorë, po shtyhen.

Andaj, palët vetëm hyjnë në sallë dhe e marrin datën për seancën e radhës.

Ndryshe, në konferencën për media të mbajtur mëngjesin e së martës, kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, ka thënë se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre,

“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.

(Kosova Sot Online)