Rohde uron emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor: Mezi e pres në Kosovë

  • E.K /
  • 02 March 2022 - 11:38
Rohde uron emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor: Mezi e pres në Kosovë

Gjermania për herë të parë ka caktuar një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor.

Manuel Sarrazin, i cili ishte deputet i Bundestagut nga Partia e Gjelbër, u emërua zyrtarisht në këtë post.

Për emërimin në këtë post e ka uruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke thënë se mezi e pret vizitën e tij në Kosovë.

“Stabiliteti dhe perspektiva europiane për Ballkanin Perëndimor janë prioritete për Gjermaninë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Nga viti 2004 deri në 2008 Sarrazin ishte anëtar i Parlamentit Shtetëror të Hamburgut.

Sarrazin ishte edhe anëtar i Komisionit për Çështjet Europiane dhe Komisionit për Punë të Jashtme. Ai ishte zëdhënës i grupit të tij parlamentar për politikën e Europës Lindore.

Katër emisarë nga shtete të fuqishme dhe BE-ja janë emëruar për Ballkanin Perëndimor. Gabriel Escobar nga SHBA, Miroslav Lajçak nga Bashkimi Europian, Sir Stuart Peach nga Mbretëria e Bashkuar dhe së fundmi Manuel Sarrazin nga Gjermania.

(Kosova Sot Online)