Shemsije Asllani jep dorëheqje të parevokueshme si prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë

  • A.P /
  • 02 March 2022 - 23:12
Shemsije Asllani jep dorëheqje të parevokueshme si prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë

Prishtinë- Shemsije Asllani, prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka dhënë dorëheqje të prevokueshme nga kjo pozitë.

Përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, Asllani ka bërë të ditur se nga ky moment jep dorëheqje si prokurore e Krimeve të Rënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 1 shkurt ka raportuar se KPK e ka degraduar atë nga Departamenti për Krime të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm dhe se ka transferuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Më 30 korrik 2021, media online “Shqip.com” ka publikuar disa incizime, në të cilat sipas raportimit, përfshijnë disa zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani.

Ndër të tjera, në këto incizime, përmendet edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku thuhet se ka qenë në shtëpinë e prokurores Shemsije Asllani me disa persona të tjerë, për të cilët thuhet se ka foto dhe incizime.

Lidhur me këtë rast, KPK në gusht të vitit të kaluar ka themeluar panel hetimor për të zbardhur rastin e përfshirjes së Prokurores Asllani në skandalin e audio-incizimeve të publikuar nga shqip.com. Panel hetimor nuk ishte themeluar edhe për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Në këto incizime përmendej edhe ish-gjyqtari dhe ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu. Pasi ishte degraduar në pozitë, Muharremi ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit, derisa Nuhiu ishte shkarkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati. 


(Kosova Sot Online)