26 orë bombardime të vazhdueshme në Mariupol, ukrainasit nuk duan ta dorëzojnë qytetin

  • E.K /
  • 03 March 2022 - 15:11
26 orë bombardime të vazhdueshme në Mariupol, ukrainasit nuk duan ta dorëzojnë qytetin

Situata në qytetin e Mariupolit në Ukrainën jugore “mbetet e vështirë”, tha një zëdhënës i Gardës Kombëtare të Ukrainës për CNN të enjten, duke theksuar megjithatë se ushtria “nuk do ta dorëzojë qytetin”.

“Ushtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës, së bashku me Forcat e Armatosura, vazhdojnë ta mbrojnë qytetin”, tha zëdhënësi.

“Ushtria ukrainase nuk do ta dorëzojë qytetin dhe do t’i godasë forcat okupuese. Ushtria gjithashtu do të vazhdojë t’i shkatërrojë grupet e sabotimit të armikut në periferi të Mariupolit”, vazhdoi zyrtari.

Sipas zëdhënësit, forcat ruse e kanë bombarduar vazhdimisht qytetin, me objektivin e shkatërrimit të infrastrukturës – duke përfshirë rrjetin hekurudhor të qytetit.

“Bombardimet po ndodhin edhe në drejtim të ndërtesave të banimit, shkollave dhe kopshteve”, tha zëdhënësi për CNN.

Më herët të enjten, nënkryetari i bashkisë së qytetit, Sergei Orlov tha gjatë një interviste në New Day të CNN se Mariupoli është përballur 26 orë me bombardime të vazhdueshme, duke e përshkruar situatën si “kritike”.

(Kosova Sot Online)