Zhvillimet kryesore të ditës së 12-të të luftës në Ukrainë

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 08:16
Zhvillimet kryesore të ditës së 12-të të luftës në Ukrainë

Më poshtë mund të informoheni për zhvillimet kyçe të ditës së 12-të të luftës

Bombardimet ruse janë duke pamundësuar evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara, ka thënë Ukraina.

Sulmet është thënë se po vazhdojnë pavarësisht një propozimi të Rusisë për të krijuar korridore të sigurta për dalje nga Kievi, Mariupoli, Sumoj dhe Harkivi. Ukraina e ka konsideruar propozimin “të pandershëm”, pasi është kuptuar se shumë rrugë çojnë vetëm në Rusi, apo Bjellorusi.

Dhjetëra mijëra civilë mbesin të bllokuar pa rrymë dhe me pak qasje në ushqim dhe ujë, në qytetet e mëdha sikurse Mariupoli. Dy tentime për t’i evakuuar ata gjatë fundjavës që lamë pas, kanë dështuar.

Rreth 2,000 persona kanë arritur të largohen nga Irpin – rajon në veriperëndim të Kievit, pavarësisht bombardimeve ruse.

Ukraina dhe Rusia kanë mbajtur rundin e tretë të negociatave, mirëpo është raportuar të jetë arritur pak pajtueshmëri. Një rund i katërt është thënë se do të mbahet të martën, 8 mars.

Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar se do të vazhdojnë rritjen e kostos për Rusinë, për luftën e saj në Ukrainë, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Liderët e Perëndimit janë duke çuar përpara idenë që Evropa të mos jetë e varur nga nafta ruse. Rusia ka thënë se refuzimi i naftës së saj do të ishte “katastrofik”.

Çmimet e naftës kanë arritur në nivelin më të lartë në 13 vjetët e fundit për shkak të krizës.

(Kosova Sot Online)