Rreth 200 mijë njerëz pritet të evakuohen nga disa qytete të Ukrainës

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 10:11
Rreth 200 mijë njerëz pritet të evakuohen nga disa qytete të Ukrainës

Rusia tha të martën se ka hapur korridoret humanitare për të mundësuar evakuimin e civilëve nga disa qytete të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se korridoret u hapën nga ora 10 e mëngjesit – sipas kohës në Moskë – nga Kievi, Çernihivi, Sumi, Harkivi dhe Mariupoli, nga ku pritet të ikin rreth 200,000 njerëz, apo gati gjysma e popullsisë.

Sumi, i cili ndodhet pranë kufirit me Rusinë, rreth 350 kilometra në lindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, është bërë cak i bombardimeve intensive ruse.

Së paku nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga një sulm ajror në qytet, thanë të martën shërbimet ukrainase të shpëtimit.

Rusia po shpall armëpushim për korridoret humanitare, tha Ministria e Mbrojtjes në Moskë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, konfirmoi marrëveshjen me Rusinë për hapjen e një korridori humanitar, që, siç tha, do të mundësojë largimin e civilëve nga qyteti i rrethuar i Ukrainës, Sumi.

Rrugët dhe destinacionet përfundimtare të korridoreve nuk janë ende të qarta.

(Kosova Sot Online)