Një ditë pasi Kosova ofroi strehim për familjarët, Ukraina bëri të ditur se do t’i tërheqë ushtarët

  • E.K /
  • 08 March 2022 - 11:59
Një ditë pasi Kosova ofroi strehim për familjarët, Ukraina bëri të ditur se do t’i tërheqë ushtarët

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret për tërheqjen e ushtarëve të  Ukrainës që shërbejnë nëpër misione paqeruajtëse nëpër botë për t’u kthyer në Ukrainë dhe për të luftuar kundër Rusisë.

Një dekret i tillë vlen edhe për 40 ushtarët ukrainas që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Kreu i shtetit ukrainas ka nënshkruar dekretin vetëm një ditë pasi institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë vendim për strehimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina, përfshirë edhe familjarët e ushtarëve ukrainas që shërbejnë në Kosovë.

Për ofrimin e strehimit për ukrainasit ka treguar dje kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se Kosova do të krijojë kushte edhe për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës të cilët janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Gërvalla në Komision kishte theksuar po ashtu se Kosova së shpejti do të pezullojë edhe regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas.Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.

(Kosova Sot Online)