Bosnja tenton ta fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, i çon letër krerëve të Unionit

  • E.K /
  • 09 March 2022 - 11:45
Bosnja tenton ta fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, i çon letër krerëve të Unionit

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq i kërkoi dje Bashkimit Europian që urgjentisht t’ia japë vendit të tij statusin kandidat për anëtarësim në bllok, duke shpjeguar se kriza aktuale në kontinentin europian, e shkaktuar nga agresioni rus mbi Ukrainën, e inkurajon fuqishëm këtë hap.

“Jam i lirë t’ju kërkoj ta konsideroni mundësinë e dhënies së statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën brenda institucioneve të Bashkimit Europian”, tha Komshic në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Përfaqësuesesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe Komisionerit Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Oliver Varhely.

Bosnja ka paraqitur kërkesë për miratimin e statusit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2016 dhe në vitin 2019 Komisioni Europian e ka përpiluar një listë me 14 prioritete që duhet të përmbusheshin për t’iu përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese.

Megjithatë, autoritetet e Bosnjës nuk kanë bërë asgjë që atëherë, edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe pengesave të brendshme nuk kanë siguruar as zbatimin e një liste të mëvonshme “të shkurtuar” të prioriteteve, e cila ishte e kufizuar në miratimin e ligjeve të reja për prokurimin publik, duke shmangur konfliktet e interesit, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.

Në letër të martën, Komshiq konfirmoi se të gjithë në BeH janë të vetëdijshëm për problemin, por tha se rrethanat kanë ndryshuar ndjeshëm që nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, kështu që BE-ja tani duhet t’i marrë parasysh kërkesat e mëparshme, veçanërisht pasi vendi ka treguar gatishmëri për ta harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së kundër Rusisë.

“Më lejoni që në emër të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, së bashku me shumë vende të tjera, ta vlerësoj si të papranueshme veprimtarinë e rrezikshme politike dhe ushtarake të Rusisë, veçanërisht pasi një politikë e tillë është jashtë normave të së drejtës publike ndërkombëtare”, ka shkruar Komshiq.

“Dhënia e statusit të kandidatit për Bosnjë-Hercegovinën do ta krijonte një mjedis të ri dhe do t’i jepte një tjetër konfirmim të pandashmërisë dhe sovranitetit të vendit tim, dhe më pas sigurisht që do të kishte një sërë efektesh pozitive në sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm të Bosnjës, dhe kështu të gjithë Ballkani Perëndimor”, thuhet tutje në letrën e Komshiq.

Përveç Kosovës, Bosnja është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

(Kosova Sot Online)