Gërvalla: Emrat e tre ambasadorëve politik për Turqi, Norvegji dhe Maqedoni konfidencial

  • G.G /
  • 09 March 2022 - 12:46
Gërvalla: Emrat e tre ambasadorëve politik për Turqi, Norvegji dhe Maqedoni konfidencial

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka konfirmuar se i kanë përzgjedhur tre ambasadorë, në Turqi, Maqedoninë e Veriut dhe Norvegji dhe se për të njëjtit nevojitet vetëm aprovimi.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Gërvalla tha se të dhënat e tyre janë konfirdenciale deri në momentin e aprovimit.

“Mund të ju them që momentalisht i kemi tre ambasadorë të konsideruar politik që kanë kaluar në Komisioni Parlamentar. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, ambasadori në Maqedoni dhe ai që duhet të shkojë në Norvegji. Këto janë procedura që janë konfidenciale deri në momentin e aprovimit

Në shtete e tjera Gërvalla tha se kanë ambasadorë.

“Përndryshe në shumicën e shteteve edhe aty ku me vite të tëra si në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Japoni nuk ka pasur ambasadorë, ata kanë shkuar në ndërkohë. E kemi vetëm një shtet afrikan në të cilin ende nuk kemi një përfaqësim. Poashtu në Tajlandë nuk e kemi postin e ambasadorit por e kemi të ngarkuarën me punë që e kryen këtë funksion. Ngjashëm e kemi gjendjen edhe në Bullgari”, tha ajo.

Më tutje, ministrja deklaroi se MPJ ballafaqohet me mungesë të theksuar të personelit dhe stafit civil në ambasada.

Ajo paralajmëroi se do të hapin konkurs.

“MPJ ballafaqohet me një mungesë të theksuar të personelit, stafit civil, prandaj jemi në pritje që në bashkëpunim me MPB-në të hapim konkurset që na mundësojnë që pozicionet që i keni të mbuluara me buxhet të mund të shpallim konkurset dhe të fillojnë punën njerëzit të rinj, që dëshirojnë, kanë kapacitet të fillojnë të bëhen shërbyes në MPJ”, tha ajo. 

(Kosova Sot Online)