Në shënjestër aleatët e Putinit, eurodeputetët do të votojnë për ndalimin e ‘pasaportave të arta’

  • E /
  • 10 March 2022 - 10:55
Në shënjestër aleatët e Putinit, eurodeputetët do të votojnë për ndalimin e ‘pasaportave të arta’

Ligjvënësit evropianë po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të ndalojë të ashtuquajturat “pasaporta të arta” për të parandaluar oligarkët rusë të anashkalojnë sanksionet e vendosura pas pushtimit të Ukrainës.

Eurodeputetët do të votojnë sot nëse shitja e pasaportave të BE-së për qytetarët e vendeve të treta duhet të hiqet gradualisht deri në vitin 2025, së bashku me rregulloret e reja që duhet të vendosen për të bërë të pamundur përdorimin e shtetësisë së BE-së për t’iu shmangur sanksioneve, shkruan Euronews.

Midis 2011 dhe 2019 industria e “pasaportave të arta” mblodhi mbi 20 miliardë euro për vendet anëtare të BE-së, duke përfshirë Maltën, Greqinë, Bullgarinë, Portugalinë dhe Qipron, me të paktën 130,000 njerëz që morën pjesë në këtë skemë.

Në një numër prej këtyre shteteve, shtetësia sigurohet në këmbim të investimeve të konsiderueshme në pronë.

Eurodeputetja holandeze Sophie in ‘t Veld tha për Euroneës se rusët janë grupi më i madh i shtetasve të palëve të treta që kanë përfituar nga skema dhe se shumë janë afër regjimit të Putinit.

“Tërheq personazhe shumë të dyshimta, biznes të dyshimtë. Ne kemi parë që ka shumë oligarkë rusë, për shembull, që kanë blerë shtetësi ose rezidencë në BE. Në të kaluarën, ka pasur kriminelë lufte, ose në të vërtetë e gjithë familja mbretërore saudite në një moment ka marrë nënshtetësinë e cila është revokuar. Pra, kjo nuk ka të bëjë me investime legjitime në ekonominë e BE-së”, tha ajo.

Gjithashtu shtoi se kishte raste në Maltë dhe Qipro ku informacioni i kërkuar nga autoritetet nuk ishte dhënë në mënyrë adekuate.

“Le ta pranojmë nëse shihni se nga vijnë njerëzit: grupet kryesore janë rusë dhe kinezë, kështu që ju duhet të mbështeteni te Rusia dhe Kinezët për të na dhënë informacion mbi oligarkët që janë afër Putinit. Sa i besueshëm është ai informacion?”- u shpreh ajo.

Raporti do t’i shkojë Komisionit Evropian i cili do të vlerësojë se si do të vazhdojë.

Eurodeputetët po kërkojnë gjithashtu një taksë nga çdo vend që përfiton nga lëshimi i pasaportave të arta dhe skemave të qëndrimit ku të ardhurat duhet të shkojnë drejt buxhetit të BE-së.

(Kosova Sot Online)