Senatori amerikan: Është esenciale t’i dërgojmë avionë luftarakë Ukrainës, Rusia po i shpeshton sulmet

  • A.P /
  • 13 March 2022 - 15:35
Senatori amerikan: Është esenciale t’i dërgojmë avionë luftarakë Ukrainës, Rusia po i shpeshton sulmet

Senatori amerikan Rob Portman tha të dielën se dërgimi i avionëve luftarakë në Ukrainë, përfshirë MiG-29, është thelbësor pasi Rusia po i intensifikon sulmet e saj.

“Ajo që kemi dëgjuar drejtpërdrejt nga ukrainasit është se ata i duan shumë. Ata duan aftësinë për të pasur kontroll më të mirë mbi qiejt në mënyrë që t’u japin atyre një shans për të luftuar”, tha Portman, një republikan nga Ohio, për CNN.

Pentagoni tha javën e kaluar se SHBA-ja ishte kundër një plani polak për dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë përmes SHBA-së dhe një baze ajrore gjermane “në këtë kohë”. CNN raportoi më parë se anëtarët e NATO-s kanë shprehur shqetësime se ofrimi i avionëve luftarakë për Ukrainën – edhe nëse bëhet në mënyrë dypalëshe – mund të perceptohet nga Rusia si përfshirje e drejtpërdrejtë e aleancës në luftë. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan i tha CNN të dielën se SHBA-ja është e përqendruar në sigurimin e sistemeve të tjera anti-ajrore që mund t’i ndihmojnë ukrainasit.

Portman, i cili ndodhet në Poloni, tha se nuk është i sigurt pse SHBA-ja po heziton të dërgojë aeroplanë luftarakë pasi SHBA ka dërguar tashmë pajisje të tjera ushtarake, duke përfshirë raketat anti-ajrore Stinger, në Ukrainë dhe shtoi se “aeroplanët janë gjithashtu thelbësorë”.

“Pra, ndërsa ato (sulmet) përshkallëzohen, ajo që populli ukrainas kërkon është vetëm aftësia për ta mbrojtur veten. Jepuni atyre mundësinë që të përpiqen ta ndalojnë një pjesë të kësaj epërsie ruse për sa i përket fuqisë ajrore për të qenë në gjendje të shpëtojnë jetë dhe shpresojmë që të përfundojnë me një zgjidhje paqësore për këtë”.

(Kosova Sot Online)