Aleatët e Zelenskiyt besojnë se Putini do ta pranonte një kompromis për ta ndalur luftën

  • E.K /
  • 14 March 2022 - 12:19
Aleatët e Zelenskiyt besojnë se Putini do ta pranonte një kompromis për ta ndalur luftën

Aleatët e presidentit ukrainas Voldymyr Zelenskiy thonë se Vladimir Putin do ta pranojë një kompromis për neutralitetin e ardhshëm të Ukrainës vetëm nëse ai përballet me një kërcënim të besueshëm për bazën e tij të fuqisë ekonomike nga një përjashtim i shpejtë dhe i përhershëm i eksporteve të naftës dhe gazit të Rusisë nga tregjet e saj fitimprurëse europiane, raporton The Guardian.

Qeveria ruse merr 40% të të ardhurave buxhetore nga eksportet e energjisë.

Por Ukraina po përballet me rezistencën kokëfortë nga Gjermania, e cila këmbëngul se ekonomia e saj do të zhytet në recesion nëse papritur humbet qasjen në gazin dhe naftën ruse.

Në një intervistë që pasqyron presionin moral nën të cilin Gjermania ka për të bërë më shumë, ministri i ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, pranoi se Europa në të kaluarën e ka ushqyer Ukrainën me premtime të rreme, por tha se Gjermania nuk mund ta përballonte “humbjen e qindra mijëra vendeve të punës”, që do të kërkonte një embargo të plotë të energjisë. Ai tha se Gjermania në rastin më të mirë mund të çlirohet nga qymyri rus deri në vjeshtë, nga nafta e saj deri në fund të vitit, por nuk mund të caktojë asnjë datë për t’i dhënë fund varësisë gjermane nga gazi.

Bllokimi po i lë aleatët kryesorë të Zelenskiyt të ndihen të frustruar dhe duke i bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së që ta përdorin G7-ën në përpjekje për ta bindur kancelarin gjerman Olaf Scholz ta nënshkruajë një plan kohor perëndimor për t’i dhënë fund varësisë nga energjia ruse.

(Kosova Sot Online)