Bota përballet me krizë ushqimore, lufta në Ukrainë duhet të ndalet, thotë miliarderi rus

  • E.K /
  • 14 March 2022 - 12:43
Bota përballet me krizë ushqimore, lufta në Ukrainë duhet të ndalet, thotë miliarderi rus

“Një krizë globale ushqimore po afrohet nëse lufta në Ukrainë nuk ndalet sepse çmimet e plehrave po rriten aq shpejt sa që shumë fermerë nuk mund të përballojnë më lëndët ushqyese të tokës”.

Kështu deklaroi të hënën miliarderi rus i plehrave dhe qymyrit, Andrei Melnichenko, raporton Reuters.

Disa nga biznesmenët më të pasur të Rusisë kanë bërë thirrje publikisht për paqe që kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin më 24 shkurt, duke përfshirë Mikhail Fridman, Pyotr Aven dhe Oleg Deripaska.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë e kanë cilësuar pushtimin e Putinit si një grabitje toke të stilit perandorak që deri më tani është ekzekutuar keq, sepse Moska e nënvlerësoi rezistencën ukrainase dhe vendosmërinë perëndimore për të ndëshkuar Rusinë.

Perëndimi ka sanksionuar biznesmenët rusë, duke përfshirë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Melnichenkos, ngriu asetet shtetërore dhe ndërpreu pjesën më të madhe të sektorit të korporatave ruse nga ekonomia globale në një përpjekje për të detyruar Putinin të ndryshojë kursin.

“Ngjarjet në Ukrainë janë vërtet tragjike. Ne kemi nevojë urgjente për paqe,” tha për Reuters Melnichenko, 50 vjeç, i cili është rus, por ka lindur në Bjellorusi dhe ka nënën ukrainase.

“Një nga viktimat e kësaj krize do të jetë bujqësia dhe ushqimi,” pohoi Melnichenko, i cili themeloi EuroChem, një nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave në Rusi.

(Kosova Sot Online)