Vdes Erhard Busek, ambasadori Ajeti: Humbje e madhe, do të mbetet në historinë e Kosovës

  • E.K /
  • 14 March 2022 - 12:45
Vdes Erhard Busek, ambasadori Ajeti: Humbje e madhe, do të mbetet në historinë e Kosovës

Politikani austriak Erhard Busek, ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

Për ndarjen nga jeta të politikanit austriak ka shkruar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se ai do të mbetet edhe në historinë e Kosovës.

“Me keqardhje dëgjova lajmin e hidhur për vdekjen e mikut tim dhe të Republikës tonë, Erhard Busek. Është një humbje e madhe për Austrinë, për Kosovën, por edhe për Evropën. Busek do të mbetet në historinë tonë më të re, si njëri ndër miqtë më të mëdhenj të vendit tonë në kohërat më të vështira të ekzistencës. Bashkë me Ministrin e Jashtëm Alois Mock dhe diplomatin Albert Rohan, ai ishte fuqia prijëse dhe shtytëse e Kosovës”, shkroi ai.

Ambasadori Ajeti shkroi se roli i Busek në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm.

“Njeriu i cili shkroi vet historinë duke hapur dyert e universiteteve austriake për studentët nga Kosova, kur të gjitha shtetet tjera evropiane i mbanin ato mbyllur. Që nga vizita e tij e parë në Kosovë më 1987 dhe takimet me elitën politike dhe kulturore të Kosovës, ai ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm për çështjen e Kosovës. Përjetësisht mirënjohës angazhimit të tij për Kosovën! Prehu në paqe mik dhe privilegj jetësor të të njihja prej vitesh nga afër”, ka shkruar Ajeti.

(Kosova Sot Online)