Vjosa Osmani për The Economist: Kosova qëndron me Ukrainën dhe partnerët e saj, Serbia ka zgjedhur Rusinë

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 10:08
Vjosa Osmani për The Economist: Kosova qëndron me Ukrainën dhe partnerët e saj, Serbia ka zgjedhur Rusinë

Presidentja Vjosa Osmani, në rubrikën e të ftuarve në ‘The Economist’, ka bërë një shkrim ku flet për situatën në Ukrainë dhe qëndrimin e Kosovës në raport me të, si dhe paralajmërimin për “qetësim” të autokratëve, term ky që në rrafshin diplomatik nënkupton lëshimet politike ndaj fuqive agresive për shmangien e konflikteve.

Osmani në radhë të parë komenton kontributin e NATO-s më 1999-ën, duke thënë se “i dha fund gjencodit, krimeve të luftës dhe ndaj njerëzimit” me fushatën e saj bombarduese, në periudhën kur, siç thotë ajo, krijoheshin lëshime ndaj politikave agresive të Sllobodan Millosheviqi.

“Kosova i di shumë mirë mbarë konsekuencat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Lëshimet e hershme të Sllobodan Millosheviqit rezultuan në luftra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocical, në emër të dëshirave fashiste për të krijuar “Serbinë e Madhe”, shkruan e para e vendit.

“E gjithë kjo ndodhi në sy të botës. Fatmirësisht, NATO dhe bota erdhën në shpëtim më 1999-ën duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe ndaj njerëzimit, të bëra kundër popullit të Kosovës. Megjithatë, sot jemi duke përjetuar, edhe njëherë, shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare, agresion brutal dhe barbar kundër Ukrainës dhe popullit të pafajshëm të saj, si dhe potencialin për një luftë më të madhe në Evropë e më gjerë”, ka thënë më tej Osmani.

Presidentja Osmani ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, teksa ka përmendur liderin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atë boshnjak, Milorad Dodik. Për Serbinë, thotë se mbështetja ushtarake që u ofrohet nga Rusia duhej të ngriste alarmin “nga Ankaraja në Londër dhe prej Berlinit në Washington”.

“Prandaj, refuzimi i drejtpërdrejtë i sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj. Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e zotit Putin”, ka shtuar më tej Osmani.

“Në pjesën tonë të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur me sakrifica të mëdha, përfshirë këtu humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur atë, dhe kjo do të thotë të themi të vërtetën kur përballemi me agresionin e përditshëm nga fqinji ynë Serbia”, përfundon shkrimi i së parës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)