SHBA e paralajmëroi për pasoja të rënda nëse e mbështet Rusinë, reagon Kina

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 11:45
SHBA e paralajmëroi për pasoja të rënda nëse e mbështet Rusinë, reagon Kina

Ministri i Jashtëm i Kinës i ka thënë homologut të tij spanjoll se vendi i tij nuk dëshiron të ndikohet nga sanksionet ekonomike perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës muajin e kaluar, sipas mediave shtetërore, shkruan Al Jazeera.

“Kina nuk është palë në krizë, aq më pak dëshiron të ndikohet nga sanksionet”, tha Wang Yi në një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares.

Ai shtoi se Kina kundërshton sanksionet në parim dhe “ka të drejtë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj legjitime”, duke e quajtur konfliktin gati tre-javor në Ukrainë “produkt i akumulimit dhe intensifikimit të kontradiktave evropiane të sigurisë gjatë viteve”.

Nga ana e tij, Albares shkroi: “Kam biseduar me homologun tim nga Kina, Wang Yi për pasojat e luftës në Ukrainë dhe mjetet për t’i dhënë fund asaj”.

Diskutimi erdhi ndërsa presioni ndaj Kinës rritet për të tërhequr mbështetjen nga një Rusi gjithnjë e më e izoluar, e cila është goditur nga një sërë sanksionesh të ashpra të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë. Rusia ka mohuar se ka nevojë për ndihmën e Kinës.

(Kosova Sot Online)