Osmani: Kthetrat e Putin në rajon, synon të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi nëpërmjet Serbisë

  • E.K /
  • 15 March 2022 - 12:28
Osmani: Kthetrat e Putin në rajon, synon të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi nëpërmjet Serbisë

“Zbutja e autokratëve sot vetëm i trimëron nesër. Koncesionet ndaj tiranëve nuk janë kurrë të përkohshme dhe sigurisht nuk sjellin kurrë paqe të qëndrueshme. Kontinenti evropian është në krizë, sepse Vladimir Putin e ka shkatërruar sovranitetin e Ukrainës në atë masë sa sot ai mohon integritetin e saj territorial dhe të drejtën e saj për të ekzistuar. Presidenti i Rusisë ndjek një politikë të rrezikshme imperialiste që lejon një vend të zgjedhë fatin e një tjetri, thjesht sepse ka fuqinë ushtarake”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një opinion për gazetën britanike “The Economist”.

Osmani ka thënë se derisa sytë e botës janë përqendruar tek Ukraina “me të drejtë”, një tjetër kërcënim po gjëmon nën sipërfaqe në zemër të Evropës – në Ballkanin Perëndimor.

“Zoti Putin i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi përfaqësuesen e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi”.

Presidentja kosovare ka thënë se marrëdhënia e Rusisë me liderët “më luftarakë dhe problematikë të Ballkanit Perëndimor”,  Aleksandar Vuçiqin e Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, nuk është sekret dhe ky është tregues për ngritje alarmi.

“Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet të ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Washington”.

“Zhvillimet në Ukrainë janë një kujtesë se ne kurrë nuk duhet të jemi indiferentë përballë autokracisë ose kur kërcënohen vlerat dhe aleatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë me “ne” dhe “ata”, kjo është një përkujtim për të gjithë ne përsëri se një kërcënim ndaj demokracisë në një territor është një kërcënim për të gjithë ne. Në këtë pjesë tonën të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur me sakrifica të mëdha, duke përfshirë humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur atë dhe kjo do të thotë të themi të vërtetën kur përballemi me agresionin e përditshëm nga fqinji ynë Serbia”.

Osmani, duke përmendur blerjen dhe donacionet e armëve nga Rusia për Serbinë, ka thënë se në vitin 2012, para se Vuçiq të vinte në pushtet, Serbia kreu dy aktivitete ushtarake me aleatin e saj lindor derisa pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale.

“Refuzimi i drejtpërdrejtë i Serbisë i sanksioneve kundër Rusisë, si rrjedhojë, nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj. Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e zotit Putin”.

“Gjatë viteve të fundit, pavarësisht se ka folur për një lojë të mirë për vlerat evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të padëshmuara më parë, madje edhe nën regjimin e Millosheviqit. Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë graduale dhe më e rëndësishmja, e qëllimshme. Për një kohë të gjatë, në të cilën mbeti e pakundërshtuar apo edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, median dhe liritë. Rënia në vlerësime e Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike”.

Osmani ka thënë se shikimi i imazheve rrëqethëse të sulmeve pa dallime dhe çnjerëzore ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas, si dhe qëndrueshmëria e guximshme e atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe mbrojnë shtetësinë e tyre, ka qenë një kujtesë e vështirë e një të kaluare të errët për popullin e Kosovës.

“Për ne, këto imazhe janë shumë të njohura dhe reale. Ne nuk qëndrojmë vetëm me Ukrainën, ne qëndrojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe ata që duan të shohin vlerat demokratike të lulëzojnë në mbarë botën, sepse kjo përfaqëson shumë më tepër sesa luftën e një vendi apo të një populli përballë tiranisë”.

Osmani, duke potencuar se Kosova i di mirë pasojat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm, ka thënë se zbutja e hershme që iu bë Sllobodan Millosheviqit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi që u bënë nga një regjim gjenocidal në emër të “dëshirave fashiste”  për Serbinë e Madhe çoi në qindra mijëra vdekje, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të milionave.

“E gjithë kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO dhe bota na dolën në ndihmë në vitin 1999 duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Por sot ne jemi dëshmitarë, edhe një herë, të një shkeljeje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, agresion barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm dhe potencialit për një luftë shumë më të madhe në Evropë dhe më gjerë”.

“Kjo luftë është mënyra e zotit Putin për të testuar botën demokratike dhe është një përpjekje për të thyer frymën tonë demokratike. Në vend të kësaj, lufta e ka bashkuar botën demokratike në një mënyrë të padëshmuar për dekada. Mënyra se si ne të gjithë vazhdojmë të përgjigjemi – vendet e mëdha dhe të vogla – nuk do të përcaktojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por të ardhmen e Evropës dhe botës. Çdo përgjigje nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Ukrainës, por ka të bëjë edhe me botën në të cilën duam të jetojmë dhe mesazhin kolektiv që u dërgojmë autokratëve kudo”.

(Kosova Sot Online)