Policia barrikadon objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë

  • E.K /
  • 16 March 2022 - 10:50
Policia barrikadon objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, aty ku edhe po zhvillohet aksioni “Brezovica 3”.

Aksioni është duke u zhvilluar nën dyshimin për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, është duke vazhduar aksioni “Brezovica ” përkatësisht, urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit”, ka njoftuar prokuroria.

Lidhur me këtë aksion i cili është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme, Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, se është duke u zhvilluar aksion e ka konfirmuar për Express, prokurori i çështjes Rasim Maloku.

Ai tha se akoma s’ka të arrestuar, pasi aksioni është duke vazhduar.

“Po aksioni është duke vazhduar, jemi në operacion. Nuk mundem me ju dhënë më tepër informacione. Pra është vazhdimësi e “Brezovica 3”. Janë duke u kontrollu 7 lokacione në rrethinë të Shtërpcës dhe lokacione nëpër fshatra…Ende s’ka të arrestuar”, tha Maloku.

Ndryshe, ky është aksioni i tretë që po realizohet për këtë rast. Aksioni i parë ishte zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe kishte përfunduar me arrestimin e dhjetë personave. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Ai dyshohej se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Aksion tjetër për këtë rast është zhvilluar edhe më 3 mars të këtij viti, ku janë arrestuar tetë persona.

Ata dyshohen për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme,  disa fletore me shënime, Tri (3)armë,     Një (1) karikator me 5 fishek  të kalibrit 7.65mm, Tre (3) fishek të kalibrit 6.35mm, Njëzet (20) fishek të kalibrit 7.62mm,   Një (1) kompjuter,  Një (1) veturë X6, Pesë (5) telefona,  Një (1) orë dore.

(Kosova Sot Online)