Besimtarët muslimanë sonte shënojnë Natën e Madhe të Beratit, lajmërues i Ramazanit

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 15:41
Besimtarët muslimanë sonte shënojnë Natën e Madhe të Beratit, lajmërues i Ramazanit

Besimtarët e besimit Islam sonte shënojnë Natën e Madhe të Beratit sipas kalendarit hixhri. Kjo natë pranohet si lajmëtare e muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili fillon dy javë pas kësaj nate.

Fjala “berat” në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falesh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve. Në këtë natë, sipas besimit Islam, shumë muslimanë gjejnë faljen dhe lirimin prej gjynaheve nga ana e Allahut, i arrijnë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit dhe zemrat u mbushen me dritë hyjnore.

“Është kjo natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kur’anit, në këtë natë Kur’ani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i shtatë në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t’i shpallet Pejgamberit a.s. në formë të shkallëshkallshme brenda 23 vjetëve.”, shkruhet në një komunikatë të një bashkësie islame.

(Kosova Sot Online)