Mbi 1000 persona kanë kërkuar ndihmë juridike falas këtë vit

  • E.K /
  • 19 March 2022 - 11:13
Mbi 1000 persona kanë kërkuar ndihmë juridike falas këtë vit

Në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) kanë kërkuar shërbime këtë fillim vit, 629 meshkuj dhe 483 femra, pra në total 1 110 persona, ka thënë , Anita Alaj-Kalanderi, drejtoresh ekzekutive në këtë institucion.

Ajo ka sqaruar se vitin e kaluar kësaj agjencie i janë drejtuar 4,599 qytetarë, prej tyre 2,618 meshkuj dhe 1,981 femra.

“Statistikat deri për këtë vit thonë se ndihmë juridike falas kanë kërkuar 1 110 persona. Prej tyre femra janë 483, meshkuj janë 629 që kanë përfituar ndihmë juridike. Në vitin 2021 kanë përfituar ndihmë juridike falas 4,599 qytetarë. Numri i meshkujve prinë, janë 2,618 qytetarë meshkuj që kanë përfituar ndihmë juridike falas dhe janë 1 981 femra që kanë përfituar ndihmë juridike falas”, ka thënë ajo.

Alaj-Kalanderi ka sqaruar se ndihma juridike ofrohet në disa lëmi, si ato civile, penale, administrative e kundërvajtëse.

“Kryesisht numri i rasteve që prijnë janë civile dhe në pjesën administrative, çështjet dhe dilemat e ndryshme që i kanë në çështjet pensionale, konteste të marrëdhënies së punës, çështje të ndryshme trashëgimore, çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet familjare që janë alimentacionet, besimi i fëmijëve, shkurorëzimet, ndarja e pasurisë së përbashkët. Në momentin kur pala ka nevojë për përfaqësim në gjykatë, vlerësohet nga zyrtari i agjencisë dhe caktohet avokati që ofrohet nga lista e Odës së Avokatëve dhe përfaqëson në gjykatë, palën që i plotëson kriteret”, është shprehur ajo.

Sa i përket kritereve për të përfituar ndihmë juridike falas ajo ka bërë të ditur se janë tri kritere që duhet përmbushur, ai financiar, kualifikues dhe juridik.

Sipas saj, prioritet kanë viktimat e dhunës në familje për të cilat ka thënë se kanë të drejtë të zgjedhin avokatin nga lista që ofrohet nga Oda e Avokatëve.

“Prioritet kanë viktimat e dhunës, gjë që për viktimat e dhunës e kemi një kushtimisht ta them një vendim. Që në momentin kur viktima e ka një urdhër-mbrojte apo inicion rastin për shkurorëzim dhe për alimentacion apo besim të fëmijëve dhe i duhet avokati për të përfaqësuar në gjykatë, viktima ka të drejtë të zgjedh nga lista e avokatëve cilin do avokat që viktima e dhunës e përzgjedh”, ka deklaruar ajo.

Alaj-Kalenderi ka thënë se për të iniciuar ndihmë juridike falas, të interesuarit duhet të shkojnë në zyrat e ANJF-së, ku zyrtari i agjencisë brenda pesë dite është i obliguar t’u kthejë përgjigje nëse pala ka përfituar apo i është refuzuar kërkesa, raporton EO.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndihmën juridike ua mundëson të gjithë atyre qytetarëve të cilët për shkak të mungesës së mjeteve materiale nuk kanë mundësi t’i qasen sistemit të drejtësisë.

ANJF-ja funksionon në 36 komuna, 21 komuna mbështeten nga buxheti i Republikës së Kosovës, në 6 komuna përmes zyrave mobile të përkrahura nga projekti i GIZ-it, në 7 komuna ekziston klinika mobile lëvizëse, projekt i mbështetur nga UNDP-ja dhe në 7 komuna ku ANJF-ja nuk ka zyrë rajonale as zyrë mobile.

(Kosova Sot Online)