Prokuroria kërkoi 6 vjet burgim, pas 90 ditësh vendimi për Gucatin e Haradinajn

  • G.G /
  • 21 March 2022 - 11:12
Prokuroria kërkoi 6 vjet burgim, pas 90 ditësh vendimi për Gucatin e Haradinajn

Gjykimi për vepra penale lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë ndaj Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, i cili filloi më 5 tetor 2021, ka përfunduar më 17 mars 2022, ndërkaq shqiptimi i dënimit nga trupi gjykues duhet të bëhet brenda 90 ditësh pas përfundimit të gjykimit.

Këtë e ka përcaktuar rregulla 159 e Rregullores së Procedurave dhe Provave, ku në paragrafin 1 thuhet se vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit.

“Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të. Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, thuhet tutje.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj u dëgjuan katër dëshmitarë të prokurorisë, gjashtë të mbrojtjes së Gucatit dhe katër të Haradinajt.

Me shkrim u paraqitën 18 dëshmi të dëshmitarëve, 12 nga mbrojtja e Gucatit dhe katër nga ajo e Haradinajt.

Numri i ditëve të gjykimit ishte 31, derisa kohëzgjatja e procedurës paraprake ishte 12 muaj e 12 ditë.

Gjatë këtij gjykimi, fillimisht u paraqit deklarata hyrëse nga ana e prokurorisë, ku një pjesë të deklaratës hyrëse e bëri edhe vet prokurori i specializuar, Jack Smith.

Pas kësaj, u dëgjuan dëshmitarët e prokurorisë, ndër të cilët ishin edhe punonjësit e Zyrës e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper, hetuese dhe Miro Jukiq, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve.

Pas njoftimit për përmbylljen e çështjes së prokurorisë, mbrojtësit bënë mocione për rrëzim të akuzave, por këto mocione u refuzuan nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles L Smith II.

Tutje, u vazhdua me konferencë përgatitore të mbrojtjes dhe pas saj u mbajtën seancat ku mbrojtja paraqiti çështjet e tyre.

Ndër dëshmitarët e mbrojtjes që dëshmuan ishin edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, si dhe një eksperte e sinjalizimit dhe ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

Pasi edhe mbrojtja njoftoi për mbylljen e çështjeve të tyre, u procedura me deklaratat përmbyllëse të prokurorisë e mbrojtjes.

Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimin në selinë e paraburgimit në Hagë dhe tanimë janë në pritje të shqiptimit të vendimit të gjykatës.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Kosova Sot Online)