Rrëfimi i të ikurit nga Mariupol: Rusët po qëllojnë makinat me fëmijë

  • E.K /
  • 22 March 2022 - 13:11
Rrëfimi i të ikurit nga Mariupol: Rusët po qëllojnë makinat me fëmijë

Mykola Trofymenko, kreu i Universitetit Shtetëror të Mariupolit, i cili është gjithashtu edhe në këshill të qytetit, ka folur për BBC-në se si u arratis nga Mariupol javën e kaluar me gruan dhe djalin e tij pesëvjeçar. Ata tani po jetojnë në qytetin perëndimor të Lviv, ku ai po përpiqet të rithemelojë universitetin Mariupol.

Para se të largoheshin, ata kishin kaluar disa javë duke u fshehur bashkë me rreth 80 fqinjë në një bodrum, derisa qyteti po sulmohej.

Ai tha se ata iu bashkuan një kolone të madhe makinash të udhëhequr nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili, sipas tij, u sulmua nga rusët,

“Qytetarët e Mariupolit formuan një kolonë të madhe makinash… me kilometra, ishin mijëra makina. Ne mundëm të iknim nga qyteti. Arritëm në Vasylivka, jo shumë larg Zaporizhzhia, [pasi kaluam] 15 postblloqe të rusëve”, tha ai për programin Today të BBC Radio 4.

“Atje, policia kombëtare e Ukrainës ndihmoi kolonën e madhe të makinave për të kaluar fushat e minuara. Ne pamë disa makina që u goditën nga bombat sepse nuk mund të kalonin fushat e minuara. Pra ishte shumë e rrezikshme”.

“Në hyrje të një prej postblloqeve të Ukrainës, rusët filluan të qëllojnë makinat me shirita të bardhë në dyer dhe ato makina që kishin në dritare mbishkrimin që tregonte se ka fëmijë. Ata goditën një makinë me dy fëmijë brenda”.

“Nuk e di çfarë njerëz mund të bëjnë këtë. Sigurisht që ne i vëmë faj Putinit, që po e bën gjithë këtë në Ukrainë, por ushtarët e rregullt po qëllojnë mbi këta civilë”.

(Kosova Sot Online)