AKK: Zyrtarët publik të deklarojnë pasurinë, në të kundërtën ushtrohet kallëzim penal

  • E.K /
  • 22 March 2022 - 14:54
AKK: Zyrtarët publik të deklarojnë pasurinë, në të kundërtën ushtrohet kallëzim penal

Në dhjetëditëshin e fundit të afatit  për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, nga gjithsej 4737 zyrtarë të lartë publik, obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, deri sot i  janë përgjigjur 1581 (33.14%)  zyrtarë publik, të numrit të përgjithshëm të zyrtarëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, njofton AKK,.

Siç njofton komunikata dërguar mediave,  Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj ju bën thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë publik që t’i përgjigjen obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë, në të kundërtën Agjencia kundër Korrupsionit, do të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal.

“Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka filluar më 01 mars dhe të përfundoj më 31 mars 2022, ndërsa, zyrtarët publik deklarimin e pasurisë mund ta bëjnë  nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës [email protected].  Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet emailit, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruese”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)