Ukraina: 117 fëmijë të vrarë në luftë

  • E.K /
  • 22 March 2022 - 15:18
Ukraina: 117 fëmijë të vrarë në luftë

Së paku 117 fëmijë janë vrarë dhe mbi 155 të tjerë janë plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, tha të martën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Sipas saj, shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit Kiev dhe në qytetin verilindor të Harkivit.

Vulin mburret para ambasadorit rus se Serbia është i vetmi vend në Evropë …

Në Harkiv, një tank rus raportohet se ka goditur një makinë, në të cilën ndodhej një familje me dy fëmijë, tha Zyra e Prokurorit.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, shtoi ajo, autobusët e evakuimit që kanë transportuar fëmijë, janë goditur nga granatimet ruse.

Prokurorët po ashtu thanë se kanë regjistruar 548 sulme mbi shkolla dhe objekte të tjera arsimore – 72 prej të cilave janë “shkatërruar plotësisht”.

Sipas prokurorëve, shifrat që ata raportojnë, nuk janë përfundimtare, për shkak të vështirësive në qasjen apo inspektimin e vendeve në disa pjesë të Ukrainës./rel

(Kosova Sot Online)