Kurti ia jep disa ide Serbisë se si të votojnë serbët jashtë saj në zgjedhjet e 3 prillit

  • G.G /
  • 23 March 2022 - 13:34
Kurti ia jep disa ide Serbisë se si të votojnë serbët jashtë saj në zgjedhjet e 3 prillit

Marrëveshje që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit nuk ka, por Kryeministri Kurti ka disa ide se si serbët në Kosovë dhe përgjithësisht diaspora e Serbisë, do të mund të votonin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nuk ka vendim të Qeverisë së tij që të ndalohen zgjedhjet nacionale të Serbisë, më 3 prill. Thjesht, sipas tij, nuk ka marrëveshje për këtë cështje.

Mirëpo, Kurti ka disa propozime për Serbinë, që shtetasit e saj jashtë vendit të mund të votojnë. Për serbët e Kosovës, të cilët kanë nënshtetësi të Serbisë, Kurti thotë se do të mund ta kishin adresë zyrët në qendër të Prishtinës, të cilat janë të dedikuara si zyrë ndërlidhëse.

“Unë bëj thirrje që ato tri zyrat e zbrazëta, që janë në ndërtesën e Bashkimit Evropian, fare pranë këtij vendi ku po zhvillohet konferenca jonë për medie, të funksionalizohen, të operacionalizohet me zyrtarët nga Beogradi dhe në këtë mënyrë do të paraqiste një adresë të mirë për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë nënshtetësi e Republikës së Serbisë”, ka thënë Kurti në konferencën e sotme për media, në ndërtesën e Qeverisë.

Image

Kryeministri Kurti gjatë konferencës së sotme

Ai thotë se autoritetet serbe do të duhet ta lejojnë votimin me postë sepse “fundja, edhe ata kanë një diasporë të madhe”.

“Ne kemi thënë që është e mundshme të bëhet edhe votimi me postë. Na janë kundërvënë, duke thënë se në Serbi nuk lejohet një gjë e tillë. Unë besoj se edhe Komisioni Qendror Zgjedhor në Serbi, edhe ligji atje – përkatësisht Kuvendi, do të duhej ta shqyrtonin mundësinë që t’ua bëjnë të mundshme serbëve, që të votojnë me postë”, thotë Kryeministri kosovar.

(Kosova Sot Online)