Sa kushton preshi, një nga perimet e preferuara në Kosovë

  • E.K /
  • 23 March 2022 - 14:25
Sa kushton preshi, një nga perimet e preferuara në Kosovë

Në Kosovë, ndër perimet e përhapura dhe të konsumuara më shumë, bënë pjesë gjithsesi preshi, ose te ne i njohur dhe i përhapur edhe me emertimin currini. Konsumohet shumë sidomos në muajt e fundit të stinës së vjeshtës, në muajt e dimrit dhe në fillimin e pranverës.

Kultivohet dhe prodhohet goxha shumë nga perimtarët kosovarë, por në raste dhe kohë të ndryshme edhe importohet jo pak, sidomos nga Shqipëria dhe Turqia. Aktualisht, tregjet e gjelbërta, por edhe  në markete dhe shitore të pemëve dhe perimeve, janë të furnizuara mirë me këtë produkt, që sipas konsumatorëve, por edhe menaxherëve të marketeve dhe shitësve në tregjet në Prishtinë, konsumimi i tij është i vazhdueshëm dhe bukur i shumtë.

Momentalisht, ky lloj i perimeve  shitet me çmime  të ndryshme dhe që dallojnë goxha shumë nga njëri-tjetri. Po kështu, preshi tregtohet edhe me kilogram edhe me copë (fije). Nëpër disa markete në vend preshi shitet nga  89 deri në 99 centë për kilogramë, ndërkohë që shitet edhe vetëm si sasi në të cilën tre – katër fije të preshit e përbëjnë një top e që kushton 90 centë.

Mirëpo, çmimi i preshit nuk është i njejtë edhe në tregun kryesorë të Gjelbër në Prishtinë. Sipas informatave të konsumatorëve të cilët blejnë vazhdimisht pemë dhe perime në këtë treg, çmimi i një kilogrami presh të freskët është 50 deri në 60 centë. Sot në tregun kryesor të gjelbërt të kryeqytetit, një kilogram i preshit kushtonte në të shumtën e shtandeve 50 centë, por pati edhe shtange që këtë perim e shitnin nga 70 centë.

Sipas tyre, çmimi i tij levizë varësisht edhe nga muajt.

Menaxherët e marketeve në Prishinë, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se ky lloj i perimeve që shitet nëpër dyqanet e tyre është edhe vendor edhe  nga importi nga vendet e tjera.

Në disa markete në Prishtinë, krahas preshit vendor  shitet edhe ai nga Shqipëria, ndërkohë që në disa të tjera ai është vetëm vendor.

Furnizimi me pemë dhe perime, veçanrisht edhe me presh, nëpër markete pothuajse bëhet çdo ditë, pasiqë ato duhet të jenë të freskëta dhe se kërkesa e qytetarëve për to është e vazhdueshme.

(Kosova Sot Online)