Pas takimit urgjent në Bruksel, NATO del me deklaratë

  • E.K /
  • 24 March 2022 - 14:49
Pas takimit urgjent në Bruksel, NATO del me deklaratë

23 vjet pasi shuan një agresion në Europë, liderëve të NATO-s iu desh të mblidhen sot për të diskutuar mbi përgjigjen që duhet t’i japin një tjetër agresioni prapë në Europë.

Krerët e 30 shteteve të vendeve aleate të NATO-s agresionin rus kundër Ukrainës e cilësuan si kërcënimi më i madh për sigurinë euroatlantike në dekada, duke thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkatërruar paqen në Europë dhe se po shkakton vuajtje dhe shkatërrime të mëdha njerëzore.

Duke e përsëritur se e dënojnë këtë sulm në termat më të ashpër, NATO i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që menjëherë të ndalojë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina. Po ashtu, NATO i bëri thirrje Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit të saj me Rusinë.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon sigurinë globale. Sulmi i tij ndaj normave ndërkombëtare e bën botën më pak të sigurt. Retorika përshkallëzuese e presidentit Putin është e papërgjegjshme dhe destabilizuese”, thuhet në komunikatën e NATO-s të lëshuar pas takimit urgjent që patën, e ku mori pjesë edhe presidenti amerikan, Joe Biden.  

Derisa lavdëruan trimërinë dhe rezistencën e ukrainasve, për të cilët shtuan se kanë frymëzuar botën, NATO tha se do të punojë me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar për t’i vënë para përgjegjësisë ata që shkelen ligjin humanitar dhe ndërkombëtar, përfshirë edhe krimet e luftës.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e rrezikut të dhunës seksuale dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të lejojë qasje të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare dhe kalim të sigurt për civilët, si dhe të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Mariupol dhe qytete të tjera të rrethuara. Ne dënojmë gjithashtu sulmet kundër infrastrukturës civile, duke përfshirë ato që rrezikojnë termocentralet bërthamore”.

NATO dha edhe një paralajmërim për Rusinë në rast të ndërmarrjes së disa veprimeve “të papranueshme” për të.

“Çdo përdorim nga Rusia i një arme kimike ose biologjike do të ishte i papranueshëm dhe do të rezultonte me pasoja të rënda”.

NATO tha se do të vazhdojnë të kundërshtojnë gënjeshtrat e Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, për të cilat tha se Rusia po i përdor për të përgatitur terrenin për përshkallëzim të mëtejshëm, përfshirë kundër popullatës civile të Ukrainës.

Shtetet aleate të NATO-s thanë se Rusia duhet të tregojë seriozitet për negociatat, duke implementuar menjëherë një armëpushim.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me presidentin Zelensky, Qeverinë e Ukrainës, si dhe qytetarët e guximshëm ukrainas që po mbrojnë atdheun e tyre. Ne nderojmë ata që u vranë, u plagosen dhe ata që u zhvendosën nga agresion rus dhe po ashtu familjet e tyre. Ne rikonfirmojmë mbështetjen e palëkundur për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

NATO i dha të drejtë të plotë Ukrainës për vetëmbrojtje bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se do të vazhdojë ndihmën në disa drejtime.

Gjithashtu, në kumtesë u tha se krerët e shteteve aleate të NATO-s do të marrin vendime të reja kur të takohen në Madrid.

“Në përgjigje të veprimeve të Rusisë, ne kemi aktivizuar planet e mbrojtjes të NATO-s, kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor, së bashku me asete të konsiderueshme ajrore dhe detare, nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s të mbështetur nga dislokimet kombëtare të aleatëve. Ne po krijojmë gjithashtu katër grupe luftarake shumëkombëshe shtesë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Ne po marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 ​​gradë. Masat tona mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese. Tani do të përshpejtojmë transformimin e NATO-s për një realitet strategjik më të rrezikshëm, duke përfshirë miratimin e Konceptit të ardhshëm Strategjik në Madrid. Në dritën e kërcënimit më të madh për sigurinë euroatlantike në dekada, ne do të forcojmë gjithashtu ndjeshëm parandalimin dhe qëndrimin tonë afatgjatë të mbrojtjes dhe do të zhvillojmë më tej gamën e plotë të forcave dhe aftësive të gatshme të nevojshme për të ruajtur parandalimin dhe mbrojtjen e besueshme. Këta hapa do të mbështeten nga ushtrime të zgjeruara me një fokus të shtuar në mbrojtjen kolektive dhe ndërveprueshmërinë”.

(Kosova Sot Online)