SHBA: Ndërhyrja e NATO-s ishte edhe e nevojshme edhe legjitime, Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje me njohje reciproke

  • A.P /
  • 24 March 2022 - 20:13
SHBA: Ndërhyrja e NATO-s ishte edhe e nevojshme edhe legjitime, Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje me njohje reciproke

Në 23-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve strategjike të Serbisë, Misioni i SHBA-së në OSBE, ka bërë një deklaratë nëpërmjet këshilltares politike, Elisabeth Rosenstock-Siller, në Këshillin e Përhershëm të Organizatës në Vjenë.

Përfaqësuesja amerikane në OSBE, ka thënë se përdorimi i forcës nga NATO ndaj Serbisë, ka qenë i nevojshëm dhe legjitim, dhe kishte ardhur pas shterjes së të gjitha rrugëve diplomatike

Rosenstock-Siller, duke shprehur keqardhjen e saj për të gjitha jetët e humbura si pasojë e agresionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe gjatë operacionit ushtarak të NATO-s, ka theksuar se tani është koha që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të punojnë së bashku për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, me parimin e njohjes reciproke.

Më poshtë, lexoni deklaratën e plotë të SHBA-së në OSBE, të përkthyer në shqip:

Njëzet e tre vite më parë, NATO filloi Operacionin Forca e Bashkuar për t’i dhënë fund një dekade të gjakderdhjes në Ballkan. Ky intervenim erdhi pas shterjes të të gjitha rrugëve diplomatike, për ta ndalur një fushatë brutale të spastrimit etnik, të nxitur nga regjimi i Millosheviqit.

Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast, ka qenë edhe i nevojshëm edhe legjitim. Më lejoni t’ia kujtoj këtij Këshilli, se Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shprehur shqetësim lidhur me kërcënimin se kriza e rëndë humanitare në Kosovë dhe numri i madh i refugjatëve, përbënin kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sot, ne kujtojmë qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë të vrarë apo të zhdukur, si pasojë e nacionalizmit të dhunshëm të regjimit të Millosheviqit dhe forcave të tij.

(Kosova Sot Online)