Haradinaj thirrje Kurtit e Osmanit: Hapni rrugë gazit amerikan

  • E.K /
  • 25 March 2022 - 11:42
Haradinaj thirrje Kurtit e Osmanit: Hapni rrugë gazit amerikan

Në një postim në Facebook, Haradinaj përsëri u ka bërë thirrje Qeverisë t’i hapin rrugë gazit amerikan.

“Gazpromi rus ka vdekur, hapni rrugë gazit amerikan. BE, megjithëse me vonesë, e paska nënshkruar marrëveshjen e madhe për gazin e lëngshëm amerikan, projekt ky që e shkëputë Evropën nga varësia e gazit rus. Për fat të keq, Qeveria e Kosovës, pa asnjë arsye të qëndrueshme, e kishte refuzuar gazin e lëngshëm amerikan, edhe pse gazsjellësi do të ndërtohej me paratë e taksapaguesve amerikan”, ka thënë Haradinaj.

I pari i AAK-së ka shtuar se presidentja e vendit Vjosa Osmani “nuk ka pasur kurajon ta thotë qoftë edhe një fjalë të vetme, për një projekt ekonomik e të sigurisë për Kosovën e rajonin, të miratuar nga vet Presidenti Biden!”.

Haradinaj është shprehur se shpreson se do të ndryshojnë konceptet e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Osmani, e që pa asnjë vonesë t’i hapin rrugë projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë.

“Tash që kanë ndryshuar konceptet e të gjithë botës demokratike për Rusinë dhe gazin rus, shpresoj të ndryshojnë edhe konceptet e kryeministrit e të presidentes të Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrim dhe urgjentisht e pa asnjë vonesë t’i hapin rrugë projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë! Gazpromi rus ka vdekur, prandaj mos e vajtoni më!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

(Kosova Sot Online)