Protesta e udhëhequr nga Lista Serbe në veri e adresimi i Kurtit, krejt çfarë ndodhi dje

  • S.A /
  • 26 March 2022 - 08:54
Protesta e udhëhequr nga Lista Serbe në veri e adresimi i Kurtit, krejt çfarë ndodhi dje

Serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar dje, pas mosarritjes së një marrëveshje për t’u organizuar zgjedhjet nacionale të Serbisë, në Kosovë. Protesta ka kaluar pa ndonjë incident. Për protestat në veri, kryeministri Kurti kishte pasur informacione dy ditë më herët. Më poshtë gjeni një përmbledhje të krejt asaj çka ndodhi.

Mosarritja e një marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve nacionale të Serbisë, në Kosovë, ka bërë që serbët në Mitrovicë të protestojnë.Atje janë shfaqur pankarta të ndryshme, e ku një prej tyre e kritikonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti ke prishur marrëveshjen e Brukselit, i ke prishur të gjitha”, thuhej në pankartë.

Në krye të protestës ishte edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq. Ai ka mbajtur edhe një fjalim.

Rakiq, në fjalimin e tij, tha se të gjithë të angazhuarit e komunitetit serbë në institucionet e Kosovës do ta pezullojnë punën e tyre, për shkak të suspendimit të kryetares e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Stevanoviq u shkarkua, pasi mori pjesë në një mbledhje në Beograd, krah presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në fillim të kësaj jave.

“Sipas informacioneve që morëm sot në mëngjes, unë dhe kryetarët e komunave, gjyqtarët e nacionalitetit serb dhe punëtorët e gjykatës, organeve të gjyqësisë sot nuk kanë shkuar në punë. Nga sot në mbështetje të Kryetares së shkarkuar të Gjykatës edhe ata janë suspenduar dhe kështu do të jetë derisa Ljiljana Stevanoviç nuk kthehet në punë”, tha Rakiq nga protesta.

“Që nga sot, të gjithë ne, përfaqësuesit politikë që punojmë në institucionet e Kosovës, jemi suspenduar dhe nuk do të kryejmë asnjë detyrë derisa ta kthejnë kryetaren e gjykatës, Ljiljana Stevanoviq. Kjo do të thotë gjithashtu se të gjithë përfaqësuesit e policisë janë suspenduar dhe nuk do ta kryejnë detyrën derisa ta kthejnë Liljana Stevanoviqin në vendin e saj” ka thënë Rakiq.

“Nuk do të punojmë asnjë prej nesh, derisa ta kthejnë në punë kryetaren e Gjykatës. Askush nuk frikësohet, i çoj porosi Kurtit dhe policisë që ndodhet në Veri. Do të mbesim këtu do të luftojmë për të drejtat tona. Nuk duam asgjë më shumë se që kanë shqiptarët. Nuk duam t’i marrim asgjë dikujt, vetëm duam që që na takon” ka shtuar ai.

Por, Komuna e Mitrovicës Veriore e ka demantuar kreun e Listës Serbe

Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq, ka thënë se komuna është e hapur dhe se nuk është ndalur puna.

Në një prononcim për Express, ajo ka thënë se secili qytetar mund të shkojë dhe të marrë shërbimin që i nevojitet.

“Po, jemi duke punuar. Vendimet politike janë një, kurse në në nivelin teknik jemi të gjithë duke punu. Komuna është e hapur për çdo qytetar, për çfarëdo shërbimi që ata e kërkojnë”, ka thënë Hoxhiq.

Kurti kishte informacion 2 ditë më herët për protestat e serbëve

Protestat e djeshme në Veri për shumëkënd mund të kenë ardhur papritmas, por jo edhe për Kryeministrin Albin Kurti, i cili, në fakt, edhe paralajmëroi për to. 

Në konferencën për media, që u mbajt të mërkurën, Kryeministri Albin Kurti tha se ka marrë informata që në Veri do të organizoheshin protestat “për pasnesër”. Ai fliste për sot, dhe, kështu edhe ndodhi.

“Sot më erdhi informacioni që po përgatiten edhe protesta për pasnesër. Unë nuk mendoj që protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Unë plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, nëse do të protestonin kundër korrupsionit, për çështje sociale, për arsim më të mirë,  për shëndetësi më të mirë”, tha Kryeministri, gjatë paraqitjes së tij para mediave.

Por, sipas Kurtit, është e padrejtë, që të protestohej për mosorganizim të zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë, të cilat shteti serb i mban më 3 prill.

“Mirëpo, të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë, që të mbahen nëpër objekte shkollore, nuk është e drejtë”,

Ai edhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovoës, që të mos organizojnë protesta për temën e zgjedhjeve, e as të mos marrin pjesë në to. Këto thirrje i mbështeti me këshilla, si “protestues i madh”.

Kurti u drejtohet serbëve: Gjyqtarja është suspenduar, por nuk është larguar nga puna

Disa orë pas përfundimit të protestës, kryeministri Albin Kurti u është drejtuar serbëve me një videoadresim.

Ai tha se për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq e mori vesh nga mediat.

Përmes një video të publikuar në Facebook, Kurti në gjuhën serbe tha se megjithatë Stevanoviq nuk është larguar nga puna, pra ajo është e suspenduar.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojmë në vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.  Për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq mora vesh nga mediat, e kjo do të thotë se ajo megjithatë nuk është larguar nga puna.

Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar”, tha Kurti.

Ndryshe, KGJK-ja vendosi ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq e cila mori pjesë në mbledhjen Sigurisë të thirrur nga presidenti Vuçiq. Për pezullimin e saj, Lista Serbe organizoi protesta sot në Mitrovicën e Veriut./

(Kosova Sot Online )