Policia del me raport për protestën e serbëve në Mitrovicë dhe Graçanicë

  • E.K /
  • 26 March 2022 - 11:04
Policia del me raport për protestën e serbëve në Mitrovicë dhe Graçanicë

Policia  e Kosovës ka dhënë detaje për mbarëvajtjen e protestës së serbëve në Mitrovicën e Veriut dhe në Graçanicë.

Sipas policisë protesta në të dy qytetet ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

“Rr. Lola Ribare, Mitrovicë Veri (NN) 25.03.2022 – 12:00. Është mbajtur një protestë në shenjë pakënaqësie lidhur me ndalimin e votimit e zgjedhjeve të Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës. Rreth orës 12:44 protesta ka përfunduar dhe qytetarët janë shpërndarë. Nuk raportohet për ndonjë incident”, thuhet në njoftim.

“Graçanicë 25.03.2022 – 11:25. Raportohet se disa qytetarë kanë protestuar në Graçanicë lidhur me mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në R. e Kosovës. Protesta ka përfunduar e qetë”, thuhet më tutje në njoftim.

Serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar dje, pas mosarritjes së një marrëveshje për t’u organizuar zgjedhjet nacionale të Serbisë, në Kosovë. Protesta ka kaluar pa ndonjë incident. Për protestat në veri, kryeministri Kurti kishte pasur informacione dy ditë më herët.

Atje janë shfaqur pankarta të ndryshme, e ku një prej tyre e kritikonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti ke prishur marrëveshjen e Brukselit, i ke prishur të gjitha”, thuhej në pankartë.

Në krye të protestës ishte edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq. Ai ka mbajtur edhe një fjalim.

Rakiq, në fjalimin e tij, tha se të gjithë të angazhuarit e komunitetit serbë në institucionet e Kosovës do ta pezullojnë punën e tyre, për shkak të suspendimit të kryetares e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Stevanoviq u shkarkua, pasi mori pjesë në një mbledhje në Beograd, krah presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në fillim të kësaj jave.

“Sipas informacioneve që morëm sot në mëngjes, unë dhe kryetarët e komunave, gjyqtarët e nacionalitetit serb dhe punëtorët e gjykatës, organeve të gjyqësisë sot nuk kanë shkuar në punë. Nga sot në mbështetje të Kryetares së shkarkuar të Gjykatës edhe ata janë suspenduar dhe kështu do të jetë derisa Ljiljana Stevanoviç nuk kthehet në punë”, tha Rakiq nga protesta.

“Që nga sot, të gjithë ne, përfaqësuesit politikë që punojmë në institucionet e Kosovës, jemi suspenduar dhe nuk do të kryejmë asnjë detyrë derisa ta kthejnë kryetaren e gjykatës, Ljiljana Stevanoviq. Kjo do të thotë gjithashtu se të gjithë përfaqësuesit e policisë janë suspenduar dhe nuk do ta kryejnë detyrën derisa ta kthejnë Liljana Stevanoviqin në vendin e saj” ka thënë Rakiq.

“Nuk do të punojmë asnjë prej nesh, derisa ta kthejnë në punë kryetaren e Gjykatës. Askush nuk frikësohet, i çoj porosi Kurtit dhe policisë që ndodhet në Veri. Do të mbesim këtu do të luftojmë për të drejtat tona. Nuk duam asgjë më shumë se që kanë shqiptarët. Nuk duam t’i marrim asgjë dikujt, vetëm duam që që na takon” ka shtuar ai.

Por, Komuna e Mitrovicës Veriore e ka demantuar kreun e Listës Serbe

Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq, ka thënë se komuna është e hapur dhe se nuk është ndalur puna.

Në një prononcim ajo ka thënë se secili qytetar mund të shkojë dhe të marrë shërbimin që i nevojitet.

“Po, jemi duke punuar. Vendimet politike janë një, kurse në në nivelin teknik jemi të gjithë duke punu. Komuna është e hapur për çdo qytetar, për çfarëdo shërbimi që ata e kërkojnë”, ka thënë Hoxhiq.

(Kosova Sot Online)