Mina detare sovjetike përfundon në Stamboll, dyshohet se erdhi nga Deti i Zi
Një trup i huaj u konstatua mëngjesin e sotëm në Ngushticën e Bosforit në Stamboll duke vënë në alarm ekipet e shpëtimit. Fillimisht ishin peshkatarët që panë një objekt metalik, me ngjyrë të zezë dhe disa pjesë të zgjatuara që dilnin prej tij.
Sipas “Milliyet“, ishin peshkatarët që njoftuan autoritetet. Këta të fundit urdhëruan ndërprerjen e lundrimit nga të dyja anët e Bosforit deri sa të bëhej një verifikim i situatës.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë njofton se nga të dhënat paraprake duket se kemi të bëjmë me një minë detare, e prodhimit sovjetik. Ministria tha se po merren masat për largimin e saj nga Bosfori, ndërsa nuk dihet nëse ka apo jo mina të tjera që lundrojnë në këto ujëra, raporton abcnews.al.
Nuk dihet se si ka përfunduar kjo minë detare në Bosfor, por pak ditë më parë, ekspertët turq vunë alarmin se minat e vendosura nga Ukraina dhe Rusia në Detin e Zi mund të vinin deri në Turqi për shkak të rrymave detare dhe furtunës që përfshiu zonën sëfundmi.
Dyshimet e para janë se kjo minë ka ardhur pikërisht nga Deti i Zi në Bosfor, duke e bërë shumë të rrezikshme tani lundrimin aty.
(Kosova Sot Online)