Haxhiu nis sot takimet me ish-pjesëtarët e UÇK-së

  • E.K /
  • 30 March 2022 - 08:10
Haxhiu nis sot takimet me ish-pjesëtarët e UÇK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka udhëtuar dje drejt Hagës.

Me këtë rast ministrja Haxhiu ka deklaruar se përgjatë kësaj vizite do të takojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë nisjes dje nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, ministrja Haxhiu deklaroi se do të takojë disa prej tyre, por se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk kanë pranuar të takohen, raporton syri.net Kosova.

“Do ta takojmë Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin dhe Pjetër Shalën. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ka thënë Haxhiu.

Në këtë vizitë, Haxhiu do të shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat kinse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

(Kosova Sot Online)