Shenja për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës

  • E.K /
  • 01 April 2022 - 11:27
Shenja për ndalimin e shamisë në shkollën e Gjakovës, reagon Bashkësia Islame e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ashpër për shenjën për ndalimin e shamisë të vendosur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, në Gjakovë.

Sipas BIK, ky veprim “e trajton mbulesën e femrës sipas parimeve islame si një veprim ordiner”.

Nga ky institucion fetar kanë kërkuar anulimin e Nenit të Udhëzimit Administrativ, që e parasheh këtë ndalesë.

“Një trajtim i tillë i parimeve fetare është mendësi e së kaluarës moniste. Mësimet e parimet fetare nuk dëmtojnë e nuk rrezikojnë shoqërinë, përkundrazi edukojnë, mësojnë e fisnikërojnë. Ky është qëllimi i besimit, e në këtë kontekst duhet parë edhe mbulesën e femrës myslimane.

Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3  paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, thuhet në reagim.

(Kosova Sot Online)