Vështirësitë për një takim të tretë Kurti-Vuçiq, Brukseli kërkon angazhim konstruktiv për të ecur para

  • E.K /
  • 01 April 2022 - 11:44
Vështirësitë për një takim të tretë Kurti-Vuçiq, Brukseli kërkon angazhim konstruktiv për të ecur para

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, qysh në nëntorin e vitit të kaluar kishte shprehur dëshirën e tij për një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq para vitit të ri 2022. Për të realizuar një synim të tillë ishte angazhuar edhe emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, megjithatë përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme, edhe përkundër deklaratave se nga palët ka gatishmëri për takim. Për takimin ende s’ka asnjë sinjal pozitiv edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj. Duket se Brukseli do të ndez motorët pas zgjedhjeve të 4 prillit në Serbi.

Lidhur me këtë çështje në një përgjigje për Express, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se puna për dialogun është duke vazhduar, duke argumentuar një gjë të tillë me takimin që Miroslav Lajcak ka zhvilluar më 25 mars në Bruksel më shefin e ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimin.

“Puna për Dialogun është duke vazhduar. Përfaqësuesi Special i BE-së është në kontakt me të dy palët; javën e fundit për shembull, ai e ka takuar shefin e ekipit negociator të Kosovës, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel”, ka thënë Stano për Express.

Në pyetjen se kur pritet të organizohet një takim i nivelit të lartë, Stano ka thënë nëse do të ketë një takim të tillë do të njoftojnë kur është momenti i duhur, derisa ka bërë thirrje që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktivitet në proces në mënyrë që procesi të ecë përpara.

“BE pret që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në vazhdimin e negociatave në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që procesi të mund të ecë përpara për të mirën e njerëzve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”, ka përfunduar Stano për Express.

Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajcak, në një intervistë që kishte dhënë më herët për Gazetën Express kishte bërë me dije se ka një pajtim që nuk të ketë një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq nëse paraprakisht palët s’do të ketë pajtim për diçka konkrete. Lajçak në këtë intervistë kishte thënë se një gjë e tillë nuk është kusht, por kishte theksuar se një takim sa për t’u takuar është një ambicie shumë e ulët.

“Ata të dy e kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur, kurdo që ftohen. Ne kemi thënë që ata do t’i ftojmë kur të kemi substancë dhe po punojmë për këtë. Po punojmë në dokumente të ndryshme, që mund të diskutohen apo finalizohen përgjatë atij takimi. Kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për mua, që të dëgjoj nga z. Kurti, z. Bislimi dhe z. Vuçiq se çfarë progresi është bërë dhe se cilat çështje duhet të diskutohen. Mendoj se pas një jave do të jemi më të qartë se kur mund ta kemi takimin e radhës, sepse një takim sa për t’u takuar është nivel shumë i ulët i ambicies. Kjo është ajo për të cilën jemi pajtuar dhe duam që takimi i radhës të prodhojë një substancë konkrete dhe jemi duke punuar për këtë”, kishte thënë Lajcak për Gazetën Express më 30 janar 2022 i pyetur për një takim Kurti-Vuçiq.

“Është e mundshme, por nuk është kusht. Por, sigurisht, ata duhet të pajtohen për diçka. Mund të kemi mënyra të ndryshme të marrëveshjes, duke nënshkruar, duke deklaruar, por duhet të jetë diçka për të cilën pajtohen”, kishte shtuar Lajçak i pyetur nëse Kurti dhe Vuçiq do të duhet të nënshkruajnë diçka në një takim të tretë të mundshëm.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq deri më tani janë takuar dy herë në Bruksel.

(Kosova Sot Online)