Rasti i shamisë në Gjakovë, Koci thotë se familja e drejtoreshës po kërcënohet brutalisht

  • E.K /
  • 04 April 2022 - 13:12
Rasti i shamisë në Gjakovë, Koci thotë se familja e drejtoreshës po kërcënohet brutalisht

Florentina Gjergjaj, Drejtoreshë në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, është larguar nga shtëpia dhe po mendon që bashkë me familje ta lëshojë Kosovën, deklaron avokati Arianit Koci. Kjo për shkak të kërcënimeve që ka marrë shkaku i një shenje të ndalimit të shamisë që ishte vendosur në atë shkollë.

Siç shkruan Koci, ndaj saj është bërë thirrje t’i hidhet acid në fytyrë.

Reagimi i tij i plotë:

Kërcënimet me jetë ndaj drejtoreshës Florentina Gjergjaj dhe fëmijëve të saj, janë të papranueshme.

Ka disa ditë që:

– Drejtoresha kërcënohet me jetë;

– Fotoja e fëmijëve qarkullon në rrjete sociale, me kërcënime direkte në stilin: “Ta dijmë shtëpinë”;

– Në rrjete sociale kërkohet haptazi që t’i hidhet acid në fytyrë;

Për shkak të kërcënimeve serioze, të orkestruara dhe të vazhdueshme:

– Familja Gjergjaj ka dalë prej shtëpisë;

– Fëmijet nuk po shkojnë në shkollë;

– Po mendojnë seriozisht ta lëshojnë Kosovën.

Prandaj, nëse dikush mendon që drejtoresha ka bërë shkelje, le të inicion procedurë para organeve kompetente.

Kërcënimet brutale ndaj një familjeje, janë të patolerueshme.

Njejtë është e patolerueshme që deri tani, nuk kanë reaguar ndaj këtyre kërcënimeve as presidetja, as kryeministri, as kryetari i komunës e as kryetarët e partive politike.

(Kosova Sot Online)